Çeçenët përforcojnë trupat ruse në Ukrainë
Më shumë se 1.300 trupa paramilitare, besnike të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, kanë arritur në rajonin ukrainas të Hersonit, si përforcim për ushtrinë ruse.
“Për të rritur forcën ruse në territoret e pushtuara përkohësisht në rajonin Herson, ka arritur njësiti i ashtuquajtur ‘Kadyrovtsy’, me më shumë se 1.300 anëtarë”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, më 10 shtator.
Ekzistojnë të dhëna se trupat ukrainase kanë bërë përparime të konsiderueshme në rajonin e Hersonit, i cili është pushtuar nga forcat ruse, pak pas nisjes së luftës në fund të shkurtit.
Forca paramilitare e Kadyrovit është formuar në rajonin e Çeçenisë dhe shërben si ushtri e atij rajoni.
Këto forca janë akuzuar disa herë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ukraina ka përmendur tash e sa javë një kundërofensivë në zonat rreth Hersonit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë gjatë një vizite në Pragë më 9 shtator se “ne shohim sukses në Herson”.