Cana flet për finalen e Ligës së Konferencës, shpreso t’i shoh në finale Romën dhe Marseillen

Liga e Konferencës është garë e re evropiane që tanimë ka ardhur thuajse në fund.

Katër skuadra kanë mbetur në garë ku të katërtat nga to synojnë finalen e madhe të Tiranës.

Në vitin e saj të parë, finalja do të zhvillohet në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë dhe për këtë ka folur edhe legjenda shqiptare, Lorik Cana.

Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë ka thënë se Roma është favoriti kryesor për ta fituar këtë garë.

“Roma ka potencialin për të arritur deri në fundin e Ligës së Konferencës, por unë do të jem tifoz me Marseille deri në fund”, ka thënë ish-kapiteni i Shqipërisë.

Tutje Cana tha se do t’i pëlqente ta shikonte ish-skuadrën e tij Olympique Marseille në finale me Romën, pasi do të ishte një ndeshje e jashtëzakonshme.

“Do të më pëlqente të shikoja një finale Marseille-Roma edhe pse jam lacial, por kam shumë miq që do të donin të vinin këtu në Shqipëri”.

“Leicester është një kundërshtar i fortë, por Roma mbetet favorite. Mourinho është një pasuri e futbollit botëror dhe Roma është me fat që e ka”.

“Nëse merr një trajner si Mourinho, atëherë duhet t’i japësh një vit kohë dhe e njëjta gjë vlen edhe për Maurizio Sarrin te Lazio”, ka shtuar Cana.

Krejt në fund Cana ka folur edhe për ish-skuadrën e tij Lazion, duke thënë se Sarrit i nevojitet kohë.

“Nuk është e lehtë për Lazion që të synojë Ligën e Kampionëve. Me Inzaghin kanë qenë të jashtëzakonshëm, tani i duhet dhënë kohë Sarrit dhe skuadrës që të kuptojë lojën e tij”.

“Më pas, nëse Lotito do të shtojë disa elemente që do t’i shërbejnë Sarrit, do të jetë gjithçka më e lehtë”, përfundoi Cana.

Çiftet gjysmëfinaliste në Ligën e Konferencës janë Leicester City – Roma dhe Olympique Marseille – Feyenoord.