Bytyqi u takua me biznesmenë dhe investitorë nga Turqia

Shkup, 2 dhjetor – Zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomik dhe Investime, Fatmir Bytyqi, ka takuar sot një grup prej dhjetë biznesmenësh dhe investitorësh nga asociacioni i biznesit Rumelisiad nga Bursa, Republika e Turqisë.

“Të ftuarve ua prezantuam kushtet e favorshme për investime, mundësitë dhe përfitimet që ofron vendi, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe dilemave që investitorët kishin për sektorë të veçantë dhe potenciale investimi”, shënoi Bytyqi në Fejsbuk.
Në takimin që u organizua nga Oda Ekonomike Maqedono-Turke (MATTO), përfaqësues nga zyra e Bytyqit, së bashku me përfaqësues të Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, mbajtën një prezantim ekonomik para investitorëve turq në të cilin prezantoi mundësitë e investimit në vend, por edhe iu përgjigj pyetjeve dhe dilemave që kishin investitorët për sektorë dhe potenciale të veçanta.
Në fjalimin e tij para delegacionit të investitorëve turq, zëvendëskryeministri Bytyqi, njoftuan nga kabineti i tij, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ofron një paketë jashtëzakonisht tërheqëse për mbështetjen e investimeve dhe se për disa aktivitete si sektori i përpunimit, TIK dhe prodhimi i ushqimit – kompanitë mund të marrin mbështetje edhe deri në 50 për qind të investimit total në asete fikse.

Bytyqi theksoi marrëdhëniet tradicionalisht të mira ekonomike dhe politike midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, duke vënë në dukje se dhjetëra kompani turke ekzistojnë dhe operojnë me sukses në vend dhe se ato janë garantuesi i vërtetë që duhet të japë siguri në vendimin e tyre për të zgjedhur Maqedoninë e Veriut për ciklin e tyre të ardhshëm të investimeve.

Gjatë vizitës në vend, investitorët turq do të kenë edhe një vizitë të organizuar në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike, ku do të njoftohen me kushtet dhe përfitimet që kanë në rast se do të investojnë në një nga zonat e ZZHIT-së.

Zëvendëskryeministri Bytyqi në profilin e tij në Fejsbuk ka njoftuar se dhjetëra kompani turke po operojnë me sukses në vend dhe pas takimit të sotëm, ka shkruar ai, shpresojmë se ky numër do të rritet, duke vazhduar marrëdhëniet tradicionalisht të mira ekonomike dhe politike në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë