Bytyqi – Reka: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria së bashku të punojnë për klimë më të mirë ekonomike në rajon
Shkup, 3 shkurt – Bashkëpunimi politik dhe ekonomik mes dy vendeve, por edhe kontributi i përbashkët i dy vendeve fqinje për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik, ishin temë e takimit të sotëm të zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi dhe ambasadori i Shqipërisë në vend, Fatos Reka.
Zëvendëskryeministri Bytyqi, siç njoftojnë nga kabineti i tij, në takim theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull i bashkëpunimit të mirë mes vendeve të rajonit dhe theksoi se janë lider në proceset që nënkuptojnë përmirësimin e kushteve për të bërë biznes për kompanitë, të cilat realizohen përmes proceseve paralele “Ballkani i Hapur” dhe “Procesi i Berlinit”, që bazohen në rritjen e konkurrencës së secilit prej vendeve dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe sigurimin e kushteve më të lehta për integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik dypalësh, të dy, thuhet në kumtesë, i përshëndetën ritmet e rritjes dhe vëllimin e shkëmbimit tregtar, eksportit dhe importit, të cilat në vitin 2021 ishin në nivel rekord, por megjithatë ranë dakord se ka potencial shumë më të madh për rritjen e bashkëpunimit në më shumë fusha ekonomike, si dhe mundësitë për realizimin e investimeve të kompanive nga Shqipëria në vendin tonë dhe anasjelltas, të cilat do të nxisnin në mënyrë shtesë shkëmbimin tregtar.
Bytyqi theksoi se Maqedonia e Veriut po punon me shpejtësi në realizimin e disa projekteve kapitale infrastrukturore që do të mundësojnë lidhje më të mirë rrugore, hekurudhore dhe energjetike me Republikën e Shqipërisë, që është një bazë tjetër e mirë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në margjinat e takimit, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadori Reka shprehën gatishmërinë dhe hapjen për vazhdimin dhe intensifikimin e kontakteve të ndërsjella për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e marrëdhënieve edhe më të forta ndërmjet dy vendeve mike.