Bytyqi: Për momentin ulja është shumë e vogël, por më 16 mars çmimet e pastave dhe produkteve të qumështit do të jenë sipas vendimeve qeveritare
Shkup, 14 mars – Gati në fund janë analizat të cilat duhet të tregojnë se a do të ngrihen çmimet e sheqerit, vezëve dhe orizit, njoftoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Qeveria do të presë, siç tha Bytyqi, analizat të mbërrijnë zyrtarisht nga Ministria e Ekonomisë, që të diskutohen.
Në lidhje me çmimet e pastave dhe produkteve të qumështit të cilat deri pasnesër, 16 mars, duhet të jenë më të ulëta për 15, gjegjësisht 10 për qind, Bytyqi theksoi se deri më tani ulja është shumë e vogël.
“Ulja është shumë e vogël, por reagimet janë pozitive se më 16 mars të gjithë tashmë do të kenë çmime të ulura, sipas asaj që është definuar. Gjithsesi në datën 16 produktet do të mbërrijnë në çmimin i cili është dhënë, nuk shohim se nuk ka vullnet nga ana tjetër, theksoi Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas takimit me përfaqësuesit e ekonomisë gjermane.
Sipas zëvendëskryeministrit, vendimet për ngrirjen e çmimeve nuk meren që të dëmtohet dikush, por për të mirën e të gjithë qytetarëve.
“Çdo masë merret për të mirën e qytetarëve. Nuk duam të shkaktojmë dëme me vendosjen e masave ‘sot për nesër’ sepse jemi të vetëdishëm se disa lëndë të para janë deri në një çmim të caktuar. Për këtë dhamë periudhë kohore prej gati një javë, që kompanitë të shpenzojnë rezerva të caktuara dhe të fillojnë me çmime të ngrira, më të ulëta. Çdo masë merret për të mirën e qytetarëve, gjatë kësaj nuk duam t’i bëjmë dëm askujt sepse bashkërisht veprojmë në periudhën e krizës që të dalim nga ajo”, theksoi Bytyqi.

