Bytyqi për fishkëllimin e gjuhës maqedonase: Ende nuk jemi të pjekur për t’i pranuar dallimet
Shkup, 17 gusht – Jetojmë në një shoqëri me mosbesim të madh, shoqëri në të cilën nuk e respektojmë njëri-tjetrin dhe nuk jemi ende të pjekur për t’i pranuar dallimet, tha sonte zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, duke e komentuar fishkëllimin e gjuhës maqedonase në festën me rastin e 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Fishkëllimin e gjuhës maqedonase e kam përjetuar shumë rëndë. Kjo na tregon se në çfarë lloj shoqërie jetojmë, në një shoqëri me mosbesim të madh, në të cilën nuk e respektojmë njëri-tjetrin dhe nuk jemi ende mjaft të pjekur për ta pranuar diversitetin. Unë jam një prej tyre dhe do të qëndroj të luftoj për konceptin e “një shoqërie”, theksoi Bytyqi në televizionin Kanal 5.
I pyetur për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ai përsëriti edhe një herë se në kohë krize, të gjithë duhet të sillen me përgjegjësi.
“Që në vitin 2020, kur m’u dha mundësia të isha zëvendëskryeministër, thashë që në një periudhë krize, të gjithë duhet të sillemi me urtësi. Konsideroj se në vend që të bëjmë thirrje për zgjedhje dhe referendum, duhet të ulemi së bashku dhe të shohim se cilat janë zgjidhjet për dalje nga kriza”, theksoi Bytyqi.