Bytyqi: Harmonizimi i rrogave do të bëhet përmes dialogut dhe negociatave

Shkup, 29 prill – Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se harmonizimi i rrogave do të bëhet përmes dialogut dhe negociatave, njejtë siç u arrit marrëveshja mes partnerëve social për rritjen e rrogës minimale.

Kemi periudhë prej gjashtë muajve, zgjidhjet janë në tryezë dhe kjo do të bëhet përmes negociatave, tha Bytyqi në panelin e sotëm që u mbajt në suaza të forumit të organizuar me rastin e 100 ditëve të mandatit të Qeverisë së re.

Ai përkujtoi se është arritur konsensus për rritjen e rrogës minimale dhe marrëveshje për nivelizim të rrogave të tjera me rrogën minimale dhe se për herë të parë ka zgjidhje sistematike e cila do të mundësojë rritje të rrogës minimale në të ardhmen.

“U arrit marrëveshje se do të ketë edhe nivelizim dhe harmonizim të rrogës minimale, jo vetëm në sektori privat, por edhe në sektorin publik. Nuk do të ishte korrekte si Qeveri të themi se mund të kërkojmë diçka nga sektori privat, nëse ne vetë nuk jemi konsekuentë në zbatimin e zgjidhjeve ligjore. Dhe prandaj tashmë në mbledhjen e parë qeveritare pasi që u miratua Ligji për rrogën minimale sollëm vendim për nivelizim të të gjitha rrogave në sektorin publik deri në nivel të rrogës minimale dhe duke e pasur parasysh nenin 8 të Ligjit për rrogë minimale thamë se periudha e harmonizimit do të jetë gjashtë muaj. për fat të keq, disa atë e shfrytëzuan për të keq dhe para se të fillojmë dialog për harmonizim të rrogave në tërë sektorin publik, hynë me aktivitete të cilat i pamë këto ditë siç ishte greva në arsim”, tha Bytyqi.

Lidhur me realizimin e investimeve kapitale, Bytyqi theksoi se për herë të parë është vendosur sistem për ndjekje të projekteve infrastrukturore i cili do të duhet të ndihmojë të eliminohen shkaqet për pengesa të mundshme gjatë zbatimit të këtyre investimeve.

“Besojmë se vetëm zgjidhja sistematike e problemeve është zgjidhje e qëndrueshme e problemeve. 30 vite pavarësi të këtij shteti, ndërkaq për fat të keq ende nuk kemi sistem i cili duhet të sigurojë se investimet dhe investimet kapitale do të mund të realizohen në mënyrë të papengueshme”, tha Bytyqi.

Me rëndësi, sipas tij, është edhe investimi në resurset njerëzore dhe në atë kontekst përmendi se për herë të parë pas 15 viteve janë trajnuar 100 nëpunës nga 26 institucione për projekt-menaxhment dhe fidik-rregulla.