Buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 është 19 milion euro, 3.2 milion për përballje me krizën energjetike

Shkup, 26 dhjetor – Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë për vitin e ardhshëm pritet të jetë rreth 19 milionë euro. Janë siguruar 3.2 milionë euro për zbatimin e masave për përballimin e krizës energjetike dhe mbështetje për amvisëritë dhe kompanitë për zbatimin e masave për efikasitet energjetik dhe burime të rinovueshme të energjisë, informoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Kjo është, siç theksoi ai, është pothuajse tre herë më shumë se fondet e parapara në vitin 2022 për këtë qëllim prej 1.1 milionë eurove.

Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri përmendi se në fushën e energjisë do të zbatohet Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë.

Siç shtoi, Ministria në vitin 2023 do të ofrojë mbështetje financiare edhe për personat me të ardhura të ulëta dhe njëkohësisht ky program do të zgjerohet për të përfshirë kategori të tjera të rrezikuara shoqërore si përfituesit e së drejtës për dëmshpërblim për shkak të aftësisë së kufizuar, prindërit beqarë që nuk janë të regjistruar si përfitues të ndihmës minimale të garantuar dhe përfitues të së drejtës së kompensimit të dëmtimit fizik.

“Me zbatimin e masave të përmendura, do të stimulohen ekonomitë familjare të investojnë në burime të rinovueshme të energjisë, të cilat do t’u mundësojnë plotësimin e nevojave të tyre për konsum të energjisë elektrike në kohë të kriëzës energjetike, si dhe të arrijnë kursime në energjinë finale, përmes zbatimit të masave për efikasitet energjetik në shtëpitë e tyre”, tha Bekteshi.

Si masë e re, është programi i rimbursimit të një pjese të shpenzimeve për kyçjen në rrjetin e shpërndarjes së gazit për familjet për vitin 2023.

Ky program, siç bëri me dije ministri, do të subvencionojë një pjesë të shpenzimeve të përgjitshme për kyçjen e rrjetit të shpërndarjes së gazit për familjet në komunat ku është zhvilluar rrjeti i shpërndarjes së gazit natyror.

Për vitin e ardhshëm janë planifikuar 3.3 milionë euro për realizimin e investimeve në rrjetin e gazsjellësit përmes SHA NER. Këto mjete janë të destinuara për realizimin e projekteve Interkoneksion Maqedonia e Veriut-Greqi, Maqedonia e Veriut-Kosovë, Maqedonia e Veriut – Serbi si dhe Terminali LNG Aleksandropolis, Greqi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për shtyp theksoi se në 12 muajt e fundit në vend ka pasur furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe furnizim të pandërprerë me ushqime dhe nuk ka pasur goditje çmimesh për qytetarët.

“Askush nuk do të mbetet vetëm për t’u përballur me krizën. Në vitin 2023 vazhdon mbështetja financiare për familjet, për panelet fotovoltaike, sistemet e kolektorëve termikë diellorë, si dhe për ndërrimin e dritareve prej alumini PVC. Investimet e tilla me burime të rinovueshme mundësojnë që qytetarët të plotësojnë nevojat e tyre për energji elektrike, por edhe të kenë kursime në kohë krize”, tha Kovaçevski.