Bullgarët nuk mund të formojnë një qeveri stabile

Pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari të dielën, partia konservatore e ish-kreut të qeverisë bullgare, Bojko Borisov, duket se do të fitojë zgjedhjet në vend. Sipas llogaritjeve paraprake, GERB arrin 25% të votave, pas numërimit të 99% të votave. Kurse PP – partia e re e kryeministrit të rrëzuar në qershor, Kiril Petkov, ka arritur 19-20% të votave. Petkov e pranoi të dielën humbjen në zgjedhje. Votuesit ia dhanë votën Borisovit për formimin e Qeverisë, tha Petkov, i cili e përjashtoi një koalicion me GERB.

Për të analizuar rezultatet e zgjedhje në Sofje, gazeta KOHA kontaktoi politologun bullgar, Anton Pançev. Ai thotë se rezultatet në përgjithësi janë të njëjta si në zgjedhjet e fundit në nëntor vjet dhe përsëri në Kuvendin e Bullgarisë do të ketë shtatë parti/koalicione. “Kësaj radhe GERB-i dhe ‘E vazhdojmë ndryshimin’ i ndërruan vendet e tyre, por kjo situatë nuk sjell dallime të rëndësishme. Nuk e kaloi pragun prej 4% partia ‘Ka një popull të tillë’, por hyri ‘Ngritje bullgare’ që është me profilin e njëjtë, por është më e gatshme për bashkëpunim me të tjerat. Shumë vështirë mund të formohet qeveria e re, sepse të dyja blloqet kryesore – njëri që përfshin “E vazhdojmë ndryshimin”, Partinë Socialiste dhe ‘Bullgaria Demokratike’, dhe tjetri me GERB-in dhe Lëvizjen për të drejta dhe liri, madje edhe me kombinim me ‘Ngritje bullgare’, nuk i mbledhin 121 deputetë”, thotë për KOHA, politologu bullgar, Anton Pançev. Sipas tij, partia nacionaliste “Rilindje”, që e dyfishoi numrin e deputetëve, refuzon bisedime me të gjitha partitë e tjera dhe kjo së bashku me konfliktet ndërmjet këtyre dy taborëve e pamundëson krijimin e një qeverie tipike. “Ka variante të tjera me kompromise të mëdha, p.sh. një qeveri eksperte me afate të kufizuara, që mund të marrë mbështetje më të gjerë në Kuvend ose koalicion midis GERB-it dhe partive si ‘Bullgaria Demokratike’ dhe/ose ‘E vazhdojmë ndryshimin’, por me shumë kompromise dhe pa figura politike në të. Do të ketë propozime dhe variante të tjera, disa prej tyre në të vërtetë të çuditshme, por stabilitet politik nuk mund të ketë. Kjo situatë do t’i nxitë debatet për ndryshimin e sistemit politik, por nuk e rrezikon stabilitetin ekonomik, sepse baza energjetike e vendit është stabile dhe nuk mund të ketë rënie dramatike”, vlerëson Pançev.

Sa i përket politikës bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançev thotë se ndryshime nuk mund të ketë dhe Sofja zyrtare do të vazhdojë të këmbëngulë që komuniteti bullgar në këtë shtet të përfshihet në kushtetutën e tij dhe që t’i marrë të gjitha të drejtat kolektive që janë paraparë për komunitetet. Ai mes tjerash potencon se autoritetet në Shkup duhet të punojnë në mënyrë aktive për realizimin e kushteve në lidhje me eurointegrimin e vendit, që janë përfshirë në kornizën e negociatave dhe në të gjitha aktet e tjera relevante.

Përndryshe, ish-kryeministri, Bojko Borisov u tregua i hapur për bisedime “me të gjitha partitë” pas mbylljes së kutive të votimit të dielën. Një partner potencial për GERB do të mund të ishte partia e pakicës turke, MDL, që sipas llogaritjeve të fundit arrin 15% të votave. Edhe dy parti proruse kanë arritur rezultate deri në 15%. Por në parlamentin bullgar mjaft të fragmentarizuar nuk duken shenja për koalicion. Të treja partitë e koalicionit të fundit qeverisës të partisë PP të Petokvit, të socialistëve dhe Të Gjelbërve liberal-konservatorë, DB kanë arritur së bashku 37% të votave.

Në qershor, qeveria e Petkov u rrëzua pas vetëm shtatë muajsh në detyrë pas një votimi mosbesimi. Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas Institutit Gallup International Balkans për Hulumtim të Opinionit Publik, kur u mbyllën qendrat e votimit ishte rreth 35 për qind. Gjatë fushatës zgjedhore në këtë vend të varfër anëtar të BE-së, dominoi lufta në Ukrainë dhe furnizimet e pasigurta me gaz. Bullgaria ka lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Moskën dhe pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar ndarje të thella në vendin me 6.5 milionë banorë. Ndërsa Borisov po përpiqet të mos rrezikojë marrëdhëniet me BE-në, as me Rusinë dhe Turqinë, Petkov demonstroi një qëndrim të qartë pro-evropian në fushatën zgjedhore.