Bujqit të pakënaqur me subvencionet

Bujqit në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritjen e subvencioneve, pagesën e tyre me kohë, por edhe masa të tjera për nxitjen e prodhimit vendor. Në të kundërtën, ata thonë se do të detyrohen të heqin dorë nga ky profesion për shkak të pamundësisë për t’i përballuar humbjet.

Ekrem Idrizi, bujk nga Tetova, thotë se ende nuk i ka marrë subvencionet për të mbjellat e pranverës së vitit të kaluar dhe kjo e bën shumë të vështirë që të vazhdojë me të mbjellat e reja për shkak të rritjes së çmimeve për produktet bujqësore.

Plehrat për prodhimin bujqësor nuk kanë qenë kurrë më të shtrenjta, thotë ai.

Ndalimi i eksportit nga Rusia, që është ndër prodhuesit më të mëdhenj, ka rritur çmimin e plehrave artificiale për 300-400 për qind.

Nëse bujqit vitin e kaluar kanë paguar rreth 600 denarë (10 euro) për një thes 50 kilogramë, tani paguajnë 2.800 denarë (45 euro).

“Neglizhenca e shtetit është jashtë mase. Nuk ka asnjë interesim për bujqit. Dalin në media thonë se kemi bërë këtë apo atë, por në praktikë nuk ka asgjë. Unë ende nuk arrij t’i paguaj shpenzimet për mbjelljet pranverore si për misrin, grurin, elbin dhe stërpikjen… Me humbje nuk punohet dhe nëse vazhdon kështu, atëherë nuk do të merremi me bujqësi, gjithçka që kemi ose do ta pakësojmë ose do t’i shesim të gjitha”, thotë Idrizi.

Se nevojiten masa në ndihmë të bujqve e thotë edhe Tode Llazarevski, inxhinier i bujqësisë. Sipas tij, një nga rajonet më të mëdha të tokës në pjesën jugperëndimore të vendit, e njohur si “Pellagonija” është lënë pas dore, andaj edhe nevojiten masa stimuluese për t‘iu thyer bujqësisë.

“Dhjetëra vite më parë vetëm kombinati bujqësor ‘Pellagonija’ mbillte mes 8-10 mijë hektarë me grurë dhe mbi 70 mijë me misër. Ndërkohë, sot kemi një gjendje shumë të keqe. Shumë hapësira bujqësore janë djerrë, të papunuara… Kjo është për të ardhur keq kur kemi parasysh faktin se buka akoma është ushqimi kryesor për njeriun. Le të shpresojmë se shteti do të ndërmarrë masa për të nxitur prodhimet bujqësore vendore, para së gjithash tani në kohën e krizës botërore të ushqimit dhe rritjes së madhe të çmimeve”, thotë Llazarevski.