Bujar Osmani tregon pse u refuzua propozimi francez
Shkup, 24 qershor – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka njoftuar arsyen se pse është refuzuar propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, informon Zhurnal.
Siç është shprehur ministri Osmani, dy çështje kanë qenë të përmendura në propozimin francez, e që të dyja nuk kanë qenë zgjidhje përfundimtare por vetëm pjesë e propozimit, e të cilat janë quajtur si çështje për të cilat nuk mund të arrihet marrëveshje.
“Dy fjalë qëndrojnë ndërmjet suksesit dhe mossuksesit të Bashkimit Evropian në rajon. Fjala “protokoll”, në kornizë, si paradigmë e çështjeve historike dhe fjala “hapje” në paragrafin gjashtë nga përfundimet e Këshillit. Që të dy fjalët nuk janë në propozimin francez si vendime finale, por janë të vendosura (një pjesë e tyre edhe në kllapa) si çështje për ta cilat nuk mund të arrihet pajtueshmëri për shkak pozicionit të Republikës së Bullgarisë.
Miratimi i sotëm i rezolutës në Parlamentin bullgar, në të cilin potencohen pikërisht këto dy çështje do të bllokojë procesin evropian në periudhë afatgjate, njëherazi do t’i paralizojë instrumentet e Marrëveshjes për Miqësi në kohë afatgjate.
Presidenca franceze u tregua shumë e kujdesshme në formulimin e tekstit duke u kujdesur për ndjeshmërinë e të dy palëve dhe prandaj çështjet të cilat nuk ishin të pranueshme për ne i vendosi si propozime të padefinuara (në kllapa), për të potencuar se ata çështje nuk janë të zgjidhura. Nga këtu, ne mundet vetëm t’i falënderohemi presidencës franceze, por u deshtë ta refuzojmë propozimin e tyre në këtë formë, pikërisht për shkak të pjesëve në të, për të cilat pala bullgare pa asnjë argument nuk dëshmoi mirëkuptim”, ka njoftuar Bujar Osmani./Zhurnal.mk

