Britania e Madhe vendos sanksione ndaj importit të havjarit dhe diamanteve nga Rusia

Industria ruse e mallrave luksoze është e fundit që është vënë në shënjestër të sanksioneve të reja të Mbretërisë së Bashkuar të marra sot ndërsa qeveria britanike ka vendosur një ndalim për importet e havjarit dhe produkteve të tjera të shtrenjta.

Gjithashtu do të ndalohet importi i argjendit dhe produkteve të drurit nga Rusia, ndërsa tarifat do të rriten me 35 për qind për diamantet.

Kjo do të thotë se vlera totale e sanksioneve për mallrat është më shumë se një miliard funte (1.2 miliard euro), raporton reuters.

Masat synojnë të shkaktojnë dëme maksimale ndaj regjimit të presidentit rus, Vladimir Putin, duke reduktuar burimet dhe fondet që i nevojiten për të vazhduar pushtimin e Ukrainës.

Sanksionet e reja janë si shtesë e paketës tashmë ekzistuese të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Britania e Madhe, e cila konsiston në masa të ndryshme që ndalojnë importin e produkteve, nga vodka deri te plehrat.

Ndryshe, Banka Botërore ka njoftuar se shteti rus ka shkaktuar dëme materiale në Ukrainë në vlerë të 60 miliardë dollarëve.