Britania e Madhe rihap ambasadën në Kiev, e konfirmojnë Johnson dhe Truss

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se Mbretëria e Bashkuar do të rihapë ambasadën e saj në Kiev javën e ardhshme, pasi misioni diplomatik u zhvendos në Lviv disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Duke folur më 22 prill gjatë vizitës në Indi, Johnson tha se “ne javën e ardhshme do të rihapim ambasadën tonë në kryeqytetin ukrainas”. Megjithatë, ai nuk tregoi datën e saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Ndërkaq, sekretarja e Jashtme, Liz Truss, përmes një deklarate për media tha se rihapja e ambasadës do të ndodhë për shkak të “qëndresës që jashtëzakonshme dhe suksesit” të rezistencës së Ukrainës ndaj forcave ruse.

“Dua të përgëzojë ekipin e ambasadës për trimërinë dhe për punën e tyre gjatë kësaj periudhe”, tha Truss.

Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri britanik, Boris Johnson, kishte vizituar Kievin për të shprehur mbështetjen për Ukrainën, shtet që prej 24 shkurtit po përballet me pushtimin rus.

Megjithatë MPJ britanike Liz Truss theksoi se tashmë ambasadorja Melinda Simmons po bëhet gati të rikthehet në vendin e punës bashkë me ekipin e saj.

Do të rihapim ambasadën në Kiev dhe bashkë me ambasadoren Melinda Simmons do të rikthehemi shumë shpejtë. Faleminderit asaj dhe ekipit për punën e fuqishme që e kanë bërë. Ne jemi bashkë me Ukrainën, theksoi kështu në një postim në Facebook, kryediplomatja britanike Truss.