Borel: Nuk është reale të pritet hapja e sërishme e Kornizës negociuese, të gjitha partitë të marrin përsipër obligimet e tyre

Shkup, 17 mars – E ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe e qytetarëve të saj është në kuadër të BE-së, sepse vetëm të bashkuar jemi mjaftueshëm të fortë për t’u përballur me sfidat e mjedisit gjeostrategjik, ndërsa për të arritur në Union duhet të vazhdoni të ecni para si shtet dhe si shoqëri, porositi Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë BE-së dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borel pas takimit të sotëm të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim që u mbajt në Shkup.

“Të ecësh përpara do të thotë të vazhdosh me miratimin dhe implementimin e reformave që sjellin standarde evropiane dhe përfitime konkrete politike dhe ekonomike për njerëzit këtu”, tha Boreli në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe eurokomisarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varheji.

Borel ka potencuar se ecja përpara nënkupton edhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët e cila në pako bie edhe krijimi i kushteve për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij, ky vit është vendimtar pas marrëveshjes së korrikut të vitit të kaluar, ku, siç tha ai, vendi mori “marrëveshjen më të mirë të mundshme” dhe nuk është reale të pritet rihapja dhe negocimi për Kornizën negociuese”.

“Në bazë të saj e ardhmja juaj është në BE. Tani është koha që të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë sinqerisht në vazhdimin e kësaj rruge”, shton Boreli.

Ai përsëriti se korrikun e vitit të kaluar në marrëveshje me 27 vendet anëtare të BE-së, Maqedonia e Veriut hapi negociatat për anëtarësim, që është një datë e rëndësishme në historinë e vendit dhe rrugën e saj drejt BE-së.

Foto: MIA

“Dyert e anëtarësimit të plotë tani janë të hapura. Takimi ynë i sotëm paraqet një rast të mirë që të shihet se çfarë është bërë tashmë, çfarë është arritur nga Maqedonia e Veriut dhe si duket puna dhe kriteret e nevojshme për anëtarësim si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga ai politik”, theksoi Boreli.

Ai përkujtoi se Këshilli për Stabilizim dhe Asociim, si forum më i lartë politik për dialogun ndërmjet BE-së dhe një vendi kandidat, zakonisht mbahet në Bruksel ose Luksemburg, ndërsa ajo që për herë të parë mbahet në Shkup, “Unioni dëshiron të tregojë se sa e vlerëson progresin që ka arritur vendi në rrugën e saj evropiane dhe sa rëndësi i kushton marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut, si anëtare e saj e ardhshme”.

Foto: MIA

Përfaqësuesi i lartë i BE-së thekson se në takim është biseduar se cilat janë detyrat që janë para vendit, veçanërisht në pjesën e sundimit të ligjit, sistemin e jurpisprudencës dhe luftën kundër korrupsionit.

“Kemi biseduar edhe për kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar dhe se si agresioni ilegal i Rusisë ndaj Ukrainës krijoi sfida të reja gjeostrategjike për të gjithë ne, jo vetëm për Ukrainën, jo vetëm për BE-në, por edhe për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut dhe mbarë botën. Maqedonia e Veriut ka treguar mbështetje të qartë për politikën e jashtme të BE-së dhe harmonizim të plotë të qëndrueshëm me pozicionet dhe vendimet tona, duke përfshirë sanksionet ndaj Rusisë”, tha Boreli duke shtuar se BE-ja vlerëson shumë ndihmën e rëndësishme që vendi i ka dhënë Ukrainës.

Sipas tij, vendi me zgjidhjet e tij strategjike tregoi sjellje të vërtetë evropiane dhe përkushtim ndaj parimeve dhe vlerave të përbashkëta, duke vlerësuar rolin e tij si kryesues të OSBE-së në mbrojtjen e vlerave evropiane.

Foto: MIA

“Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut tregon se është një partner i mirë i BE-së. Por unë e di dhe ne të gjithë e dimë se në të njëjtën kohë ky pozicion ju bën cak të aksioneve armiqësore nga ata që kundërshtojnë parimet ndërkombëtare dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar rezistencën tuaj”, tha Boreli.

Ai thekson se është përforcuar dialogu për ballafaqimin me kërcënimet hibride dhe sigurinë kibernetike, duke përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përsëriti, siç paralajmëroi në intervistën për MIA, “se BE-ja ka siguruar nëntë milionë euro nga Instrumenti evropian për paqe për përmirësim të pajisjes së batalionit këmbësorik të Armatës”