Bombardime në periferi të Kievit, goditet depoja e ushqimeve

Bombardime të fuqishme u regjistruan gjatë natës në periferi të Kievit, ku sirenat u dëgjuan për një kohë të gjatë, gjatë natës edhe në Lviv, Cherasky, Kharkiv dhe qytete të tjera të Ukrainës, raporton A2CNN.

Një depo e magazinimit të ushqimit të ngrirë në rajonin e Kievit mori flakë të shtunën si pasojë e sulmeve me raketa nga ushtria ruse.

Sipas BBC, shpërthimet janë regjistruar në orën 3:40 të mëngjesit të së shtunës në mëngjes.

Imazhet e publikuara nga Shërbimi i Emergjencës Shtetërore, treguan punonjësit e urgjencës që po vraponin për të shuar një flakë masive në atë që dukej të ishte një magazinë njëkatëshe, ndërsa shtëllungat e larta të tymit ngriheshin në ajër.

Zjarri u lokalizua në orën 07:54 dhe zjarrfikësit po punojnë ende për të shuar flakët. Deri më tani nuk raportohet për viktima.

Në Lviv, qyteti në perëndim i konsideruar deri më tani relativisht i sigurt, alarmi zgjati dy orë, kurrë kaq shumë që nga fillimi i luftës. Qyteti është zgjuar nga sirenat rreth orës 5.30.

Shpërthime u dëgjuan herët në mëngjes në qytetet Nikolaev (në jug), Dnipro dhe Kropyvnytskyi (në qendër të vendit). Kjo është raportuar nga BBC Ukraine, duke cituar autoritetet lokale.

Afrimi i forcave ruse drejt kryeqytetit të Ukrainës dëshmohet edhe nga disa pamje satelitore që kanë treguar edhe përdorimin e artilerisë së rëndë. Autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë për bastisje në Mykolaiv, ku u dëmtua një spital dhe disa ndërtesa banimi, megjithëse asnjë nga qindra pacientët në spital nuk u vra në sulm.

Nën bombardime dhe pa furnizime, situata në qytetin verior të rrethuar të Chernihiv po përkeqësohet çdo ditë, raporton BBC Neës Ukraine. Qyteti përballet me një breshëri të vazhdueshme granatimesh dhe bombardimesh ajrore, ndërsa furnizimet me gaz, ngrohje dhe ujë janë ndërprerë.

Energjia elektrike është në dispozicion vetëm në disa zona, dhe pjesa më e madhe e qytetit është pa dritë dhe komunikim.

Qyteti, i cili kishte një popullsi të paraluftës prej rreth 300,000 është i rrethuar nga forcat ruse dhe ka pësuar dëme të rënda.