Bllokimi i Kuvendit mundësohet nga qeveritë “e arnuara”

Shkup, 4 Maj – Në kohën që vetëm edhe një muaj ka ngelur deri në samitin e qershorit, në momentin që vendi është thelluar në krizë të shumëfish, lideri i VMRO paralajmëron nga 10 maji bllokim të Kuvendit sepse kërkojnë zgjedhje të parakohshme, një gjë të tillë e përkrah edhe Lëvizja e Besa. Bllokada të tilla janë të njohura sepse kanë qenë të praktikuara edhe më parë, e që mundësohen kryesisht nga qeveri të “arnuara” që janë dakord të qëndrojnë në pushtet edhe me “këmbë të qelqta”, shkruan Zhurnal.

Bllokadat e Kuvendit janë të njohura tashmë për qytetarët qysh nga viti i kaluar, ku opozita shqiptare bllokonte Kuvendin dhe nuk siguronte kuorumin e nevojshëm. Me çka për një kohë shumë të shkurtë mbi 130 ligje ishin bllokuar, e kjo krejt me metodën e njohur ku opozita paraqitej në Kuvend me një numër të madh amendamentesh diku mbi 7000 amandamente dorëzonin për ligje që ishin në procedurë parlamentare.

Ngjashëm edhe lideri partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, paralajmëroi se do të kërkojë nga deputetët e tij bllokim të Kuvendit krejt kjo për kërkim të zgjedhjeve të parakohshme. Sepse sipas tij vendi është në krizë të thellë por vetë problemi është Qeveria nuk është zgjidhja.

“Qeveria nuk është zgjidhje për këtë katastrofë nacionale, ajo është problemi. Prita të paktën të ketë përgjegjësi në LSDM edhe në kushte të krizës si politikanë të gjenerojmë unitet. Ne nesër do të kemi seancë të Komitetit ekzekutiv dhe do të propozoj si hap të parë pas 10 majit të ketë njëfarë bllokade aktive të Kuvendit. Ajo do të jetë bllokadë aktive e gjithçkaje, me përjashtim të atyre ligjeve që nënkuptojnë paga më të larta ose ndonjë ndihmë për qytetarët”, ka thënë Mickovski.

Edhe Lëvizja Besa parti opozitare në kampin shqiptar e udhëhequr nga Bilall Kasami, do ta bllokojë kuvendin bashkë me VMRO-në, më kërkim të zgjedhjeve të parakohshme.

“Qëndrimi i Besës është shumë i qartë dhe ne e kemi përsëritur prej disa muajsh. Legjitimiteti i qeverisë kontestohet sepse mazhoranca u bë përmes deputetëve të shantazhuar dhe partive politike që brenda natës nga kritikët e qeverisë u bënë pjesë e qeverisë. Kjo përbërje e Qeverisë pasqyron keq menaxhimin e të gjitha institucioneve, ndaj është shumë e rëndësishme që zgjedhjet parlamentare të bëhen më shpejt, t’i kthehet legjitimiteti qytetarëve dhe ata të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë. Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat e mundshëm për të provokuar sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thanë nga BESA.

Kërkesa e partive opozitare për zgjedhje të parakohshme nuk vjen befasisht sepse një gjë e tillë ishte kërkuar vazhdimisht pas skandaleve të shumta dhe ku gjithë punëtorët ishin në rrugë.

Ajo me të cilën karakterizohet 100 ditshi qeverisjes së Kovaçevskit është që vendi është vërshuar nga një sërë protestash të organizuara pothuajse nga të gjitha sindikatat në vend që kërkojnë rritje të pagave dhe harmonizim me pagat minimale.

Maqedonia e Veriut edhe këtë vit, shtet me regjim hibrid.  Sipas Freedom House, vendi ka qenë në këtë pozicion që nga viti 2013, këto të dhëna vijnë nga analizat e progresit demokratik në 29 shtete në tranzicion.

Edhe me qeverisjen e Kovaçevskit besimi në gjyqësor është i ulët. Qytetarët kanë humbur besimin në institucionet dhe kjo konstatohet nga anketat që realizohen nga institucione relevante mbi besueshmërinë e qytetarëve. Ku vetëm 8% është besimi i qytetarëve në organet e drejtësisë në vend, ndërkaq nga intervistat direkte të mediave me qytetarë thonë që edhe 8% është shumë, sepse besimi i tyre është 0%.

Ajo që e karakterizon Kovaçevskin gjatë këtij 100 ditshi është se luftën ndaj krimit dhe korrupsionit nuk e ka prioritet pasi zyrtarë të qeverisë akuzohen për korrupsion, është fjala për ish sekretarin gjeneral të qeverisë, Muhamed Zeqiri.

Por tani bllokada e paralajmëruar është indikator që kur nuk funksionon Kuvendi në vend asgjë nuk funksion, ne edhe ashtu jemi mbrapa shumë e nuk dihet kur dhe si do të ecim para. Në momentet që vendi ka nevojë për unifikim të partive politike pushtet-opozitë që një zëri të tregojnë vendosmërinë e vendit për fillim të negociatave me BE-në, të kërkojnë presion të ndërkombëtarëve mbi Bullgarinë për heqjen e vetos, këta bëhen pikë e pesë kur duhet të jenë bashkë.

Në kohën kur pritet edhe rebalanci i buxhetit në Kuvend për këtë vit me të cilin është paraparë edhe rritja e pagave për mësimdhënësit për 12%, propozim ligje të shumta për menaxhim të krizës ekonomike, çështja e sigurisë në rajon është çështje alarmante edhe për vendin tonë me çka Kuvendi aktiv duhet të jetë në çdo kohë e jo të ketë bllokadë aktive.

Por edhe njëherë po dëshmohet se “kurban” i eksperimenteve partiake është populli, dhe një bllokadë e tillë është në dëm të qytetarëve sepse ata të zgjedhurit e përfaqësuesit e popullit bllokojnë proceset e nuk e bëjnë punën për të cilën janë të votuar.

Zgjedhjet e parakohshme edhe nëse ndodhin nuk dihet se sa të prodhojnë zgjidhje të problemeve apo thellim edhe më të madh në këtë krizën e shumëfish që e ka kapluar vendin.

Por, një gjë të tillë se kujt t’i kujtohet mund ta bllokoj Kuvendin e mundësojnë qeveritë e arnuara që për qëndrim në pushtet pranojnë të jenë edhe me këmbë të qelqta, shumicat jo kuptimplota e të duhura lejojnë krijimin e bllokadave çdoherë që ndokujt i shkon në mend e ka nevojë./Zhurnal.mk