Blinken: Një zonë e fluturimeve të ndaluara mbi Ukrainë do të çojë në një luftë në shkallë të gjerë në Evropë
Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken deklaroi se vendosja e zonës së fluturimeve të ndaluara mbi Ukrainë nga ana e SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO mund të çojë në “luftë në shkallë të gjerë në Evropë”.
Ai theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë me aleatët e tij me qëllim që t’iu sigurojë ukrainasve mjete për mbrojtje nga agresioni rus, transmeton Si-En-En.
“Mënyra e vetme për të zbatuar me të vërtetë diçka si një zonë të fluturimeve të ndaluara është dërgimi i avionëve të NATO-s në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe rrëzimi i avionëve rusë, gjë që mund të çojë në një luftë në shkallë të gjerë në Evropë. Presidenti Biden e ka bërë të qartë se ne nuk do të shkojmë në luftë me Rusinë”, tha Blinken në një konferencë shtypi mbrëmë në Bruksel, ku po takohej me aleatët evropianë pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Por ne do të punojmë fort me aleatët dhe partnerët për t’u siguruar ukrainasve mjetet për t’u mbrojtur në mënyrë efektive, dhe natyrisht, ne shohim çdo ditë heroizmin e tyre të jashtëzakonshëm, si dhe rezultatet shumë, shumë reale në atë që ata bëjnë për ta arritur këtë”, tha Blinken.

