Blinken në Meksikë për bisedime për ekonominë dhe emigracionin e paligjshëm

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken dhe zyrtarë të lartë të tregtisë, sot gjenden në Meksikë për bisedime të nivelit të lartë, qëllimi i të cilave është t’i rinovojnë marrëdhëniet, që janë përkeqësuar për shkak të emigracionit dhe çështjeve tjera.

“Krahas dialogut ekonomik të nivelit të lartë, sekretari Blinken planifikon të takohet me presidentin Lopez Obrador dhe ministrin e Jashtëm, Ebrard për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe prioritetet tjera të përbashkëta politike, siç janë migrimi i parregullt dhe ndalimi i trafikimit të fentanilit”, deklaroi sot zëdhënësi, Ned Prajs.

Në delegacioni e SHBA-së janë edhe sekretarja e Tregtisë, Xhina Rajmondo dhe zëvendës përfaqësuesi i tregtisë së SHBA-së, Xhejms Uajt.

Meksika është vazhdimisht ndër tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Para pandemisë së koronavirusit, Meksika ka qenë tregu i dytë më i madh i eksporteve në SHBA në vitin 2020.

Takimi i Blinkenit me Lopez Obrador në Meksiko Siti vjen dy muaj pasi presidenti i SHBA-së Xho Bajden u takua me presidentin meksikan në Shtëpinë e Bardhë, ku Bajden tha se dy fqinjët duhet të rinovojnë marrëdhëniet.

Përveç ekonomisë, tjetër temë e nxehtë është fluksi i një numri të madh emigrantësh të paligjshëm në SHBA në kufirin meksiko-amerikan, që është temë e nxehtë dhe shkak për tensionim midis republikanëve dhe demokratëve.

Në periudhën e kaluar, guvernatori i Teksasit, Greg Abot, solli mijëra emigrantë me autobus në Nju-Jork, Uashington dhe së fundmi në Çikago, duke vënë në dukje se masa është e nevojshme për të lehtësuar qytetet e mbingarkuara kufitare.

Nga Meksika, Blinken niset për në Indiana, ku në Universitetin Perdju do të promovojë miratimin e ligjit për çipat dhe shkencë.