BKS dhe AMS: Refugjatët nga Ukraina përjashtohen nga pagesa e sigurimit kufitar

Shkup, 18 mars – Të gjithë personat me statusin e refugjatit nga Ukraina me hyrjen në vendin tonë do të përjashtohen nga pagesa e sigurimit kufitar. Ky vendim është marrë nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve (BKS) në koordinim me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) me iniciativë të Qeverisë.

Byroja Kombëtare e Sigurimeve (BKS) nga fondi i saj i garancisë do të mbulojë të gjitha dëmet e mundshme nga automjetet ukrainase që transportojnë refugjatë deri më 30 qershor të këtij viti. Vendimi është marrë me konsensus nga të 11 kompanitë e sigurimeve jo-jetë.

“Duke pasur parasysh krizën aktuale të refugjatëve të shkaktuar nga konflikti ushtarak në Ukrainë dhe paraqitjen e refugjatëve në kufirin tonë, është e nevojshme të gjendet një zgjidhje përgjithësisht e pranueshme dhe e bazuar në mënyrë sistematike për pranimin e automjeteve me refugjatë që nuk kanë karton jeshil dhe nuk mund të blejnë sigurimin kufitar. Arritëm të ofrojmë një zgjidhje solide, brenda mundësive dhe në përputhje me kompetencat dhe kushtet. Në këtë situatë veçanërisht për tu theksuar është qasja humane, gadishmëria dhe angazhimi i të 11 kompanive të sigurimeve. Ne sinqerisht besojmë dhe shpresojmë se do të mbizotërojë arsyeja, do të mbizotërojë paqja dhe njerëzit me status të refugjatit së shpejti do të kthehen në vendin e tyre”, theksoi Dr. Kërste Shajnoski, Kryetar i Këshillit të Ekspertëve të AMS-së.

Në marrjen e vendimit të saj, BKS-ja, në koordinim me AMS-në, u udhëhoq nga parimet universale të solidaritetit dhe ndihmës për refugjatët nga zonat e luftës.

“Ky është kontributi ynë me të cilin i urojmë mirëseardhje njerëzit nga Ukraina me status refugjati. Me këtë hap besojmë se sado pak do të kontribuojë në lehtësimin e pozitës së tyre aktuale. Të gjithë anëtarët e BKS-së treguan solidaritet dhe unitet jashtëzakonisht të fortë në kërkimin dhe gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën bashkërisht duhet të kishim kontribuar në zbutjen e situatës së vështirë të këtyre personave me status refugjati”, potencoi Trajçe Latinovski, drejtor i BKS-së.

Ky vendim është marrë me konsensus të 11 shoqërive të sigurimeve jo-jetë që operojnë në tregun vendas të sigurimeve. Vendimi i Bordit të Drejtorëve të BKS-së u mbështet nga: “Triglav Osiguruvanje”, “Euroins Osiguruvanje”, “Sava Osiguruvanje”, “Kroacia Osiguruvanje – Jo-Jetë”, ADOR “Maqedonia VIG “, “Osiguritelna Polisa”, “Viener VIG”, “Eurolink”, “Grave Jo-Jetë”, “Unika” dhe “Halk Osiguruvanje”.