Bisedimet për rritjen e pagës minimale vazhdojnë të premten
Shkup, 2 shkurt – Kërkesa për rritjen e pagës minimale në 18.000 denarë sot u shqyrtua në mbledhjen e Këshillit Ekonomik-Social, por, as pas debatit disaorësh Qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit nuk arritën marrëveshje. Konsensus, theksuan, ka vetëm se paga minimale duhet të rritet, por, jo edhe për sa dhe në çfarë mënyre të arrihet kjo.
“Patëm dialog me të vërtet konstruktiv, siç nuk është parë ndonjëherë më parë në hapësirat tona. Kemi konsensus se paga minimale do të rritet. Dialogu do të vazhdojë të premten, pas orës 16. Dhe i siguroj të gjithë qytetarët që janë në kategorinë e përfituesve të pagës minimale, se së shpejti do të ketë një konsensus për rritjen e pagave minimale të tyre. Por, thamë se e vetmja mënyrë se si të arrihet te paga dinjitoze për punëtorët tanë është krijimi i një sistemi afatgjatë, që nuk do ta lërë në vullnetin e një Qeverie, kur ajo dëshiron ose ka dëgjim ose nga palë të ndryshme si p.sh. si sindikatat apo organizatat e punëdhënësve”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Sipas tij, duhet të bisedojmë për krijim të sistemit, mekanizëm, i cili në vitet e ardhshme do të sigurojë se paga minimale me të vërtetë është dinjitoze dhe, siç theksoi, tashmë do të harrojmë të flasim për pagë minimale, por për paga dinjitoze të punëtorëve tanë.
Për atë se pse sot nuk është arritur marrëveshje dhe pse u la që vendim të merret të premten, zëvendëskryeministri theksoi se bëhet fjalë për dialog tripalësh ndërmjet sindikatave, organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë dhe se në çdo dialog nëse dëshirohet të arrihet zgjidhje duhet të fillohet prej diku dhe të arrihet ndonjë zgjidhje.
Për kryetarin e LSM-së, Darko Dimovski, propozimi të cilin e kanë dhënë punëdhënësit në fund të mbledhjes së sotme është vetëm që të përfitojnë kohë.
“Bisedimet zgjatën tre orë dhe kur mbizotëruan argumentet e palës së LSM-së dhe sindikatave të tjera, punëdhënësit dolën me propozimin e tyre në 5 minuta në 12. Argumentet ishin në anën tonë, ne e bindëm qeverinë si partner social se paga minimale duhet të jetë realisht 60 për qind e pagës mesatare, por Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë (OPM) dëshiron vetëm të përfitojë kohë deri të premten me një propozim zgjidhje fiktive”, tha Dimovski.
Ai është decid se nëse nuk arrihet zgjidhje, mbetet greva si hap i ardhshëm i sindikatave.
“Bordet e grevës mbesin ne të premten kemi caktuar organe dhe trupa të Lidhjes. Ne do të vijmë në orën 16 të premten dhe do t’u themi se nëse nuk miratohet ajo që kërkojmë do të hyjmë në grevë të përgjithshme”, tha Dimovski, duke shtuar se argumentet dhe analizat ishin në anën e sindikatave dhe se ato tregojnë se paga minimale duhet të rritet, si dhe të gjitha pagat e tjera në përputhje me ligjin dhe kontratën kolektive.
Sipas tij, propozimi i punëdhënësve është hap prapa në të drejtat e punëtorëve.
Kryetarja e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Vlladanka Trajkovska sqaroi se kanë propozuar që kriteret sa i përket përcaktimit të pagës minimale të pësojnë ndryshime.
“Presim propozim edhe nga Qeveria nëse do të pranohen idetë tona. Kishim disa ide, të njëjtat nëse do të pranohen ose jo. Sindikata kishte idetë e tyre. Presim kompromis ndërmjet të gjithë tre faktorëve”, tha ajo duke shtuar se vendimi duhet të jetë adekuat me situatën e tanishme në ekonomi.
Sipas saj, bisedimet e këtilla janë mënyra e vetme se si mund të arrihet zgjidhje.
Përderisa për këtë çështje bisedohet mes partnerëve socialë, Propozim-ligji për ndryshime të Ligjit për Pagën Minimale të cilin e dorëzoi partia “E majta” tashmë është vendosur në rend dite në mbledhjen kuvendore të caktuar në datën 10 të këtij muaji.
Sipas ueb-faqes së Kuvendit, Propozim-ndryshimet ligjore janë vënë si pikë e shtatë e rendit të ditës. Propozim-ligji duhet të miratohet me procedurë të shkurtër, ndërsa me të propozohet lartësia e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 60 për qind nga neto-paga mesatare e paguar gjatë tre muajve të fundit, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës.
Propozim-ndryshimet janë në përputhje me kërkesat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, e cila vitin e kaluar dorëzoi iniciativë në Kuvend për ndryshime të Ligjit për Pagën Minimale.
Për shkak të shpenzimeve të rritura për jetë dhe krizën energjetike dhe të kovidit, Sindikata kërkon që paga minimale të rritet në 18.000 denarë.
Deri më tani, përveç partisë E majta, paralajmërim për mbështetje të ligjit dhanë edhe nga RDM dhe Lidhja Demokratike. Zëvendëskryeministri tha se shumica qeverisëse do ta mbështesë vetëm nëse për një zgjidhje të tillë arrihet konsensus i partnerëve socialë.

