Bexhet Musliu / A (s)do ta humb Ali Ahmeti komunën e Kërçovës?
Shkruan Bexhet Musliu
Shkup, 5 gusht – Nuk kanë mbetur vetëm edhe dy muaj e gjysmë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Ato pritet t’i shpallë nesër kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ndërsa pritet të mbahen më 17 tetor. Partitë politike kanë filluar që tani me fushatën zgjedhore, por në vend premtimeve për atë që do të realizojnë, tani për tani ka vetëm akuza ndaj njëra tjetrës. Partitë politike thurin lëvdata për kryetarët e tyre aktual, ndërsa hedhin akuza ndaj kryetarëve të partive tjera për atë që nuk kanë realizuar.
Deri tani, janë publikuar disa nga emrat e kandidatëve nga parti të ndryshme shqiptare. PDSH dhe Lëvizja Besa janë partitë që deri tani kanë zyrtarizuar më tepër kandidatë për kryetarë komunash. Këtë gjë nuk e ka bërë ende Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ndonëse kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në një debat televiziv paralajmëroi publikimin e kandidatëve për kryetarë komunash që në korrik, kjo gjë ende nuk ka ndodhur duke patur parasysh që tani kemi hyrë në muajin gusht, ndërsa zgjedhjet po afrohen dhe kanë ngelur vetëm edhe dy muaj e gjysmë deri në mbajtjen e tyre.
Të gjitha partitë janë të bindur se do të fitojnë bindshëm me kandidatët e tyre, ndërsa BDI ende nuk ka publikuar pothuajse asnjë kandidat me të cilët do të garojë. Bashkimi Demokratik për Integrim arriti marrëveshje për koalicionim në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me LSDM-në. Në raundin e parë, secila parti do të garojë veçmas ndërsa në raundin e dytë do të ndihmohen partitë LSDM, BESA, BDI dhe PDSH.
Ende nuk është e qartë kjo “hamendje” e Ahmetit për të publikuar kandidatët, apo ndoshta është nga frika se mund të ketë përplasje të reja me degët që kishte probleme edhe pas formimit të Qeverisë, gjegjësisht me grupin e zjarrtë.
Për momentin gjendja brenda partisë është qetësuar paksa me qëllim që të mos dëmtohet partia, por se problemet janë zgjidhur, për këtë duhet ende kohë dhe bisedime. Nga grupi i zjarrit ende nuk kanë fituar atë që kërkonin para dhe pas formimit të Qeverisë. Andaj, në zgjedhjet lokale Ahmeti dhe kolegët e partisë, duhet të ulen dhe së bashku të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Lideri i BDI-së duhet të zgjidhë sa më parë këto probleme sepse edhe mund t’i humbë disa komuna veçanërisht nuk duhet lejuar që disa komuna të caktuara të kalojnë në duar të partive maqedonase.
Si shembull konkret është dhe komuna e Kërçovës. Në këtë komunë deri tani është konfirmuar vetëm Fatmir Limani si kandidat i pavarur. Nëse në të njejtën komunë kandidon edhe Fatmir Dehari nga BDI, si dhe nëse kandidon edhe dikush nga opozita shqiptare, atëherë kjo komunë rrezikon të kalojë në duart e VMRO-DPMNE-së, duke patur parasysh se VMRO është më e fortë kundrejt LSDM-së në Kërçovë.
Ndërkohë edhe nga opozita shqiptare paralajmërojnë “çlirimin” e Kërçovës nga sundimi i BDI-së. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ende nuk kanë vendosur nëse do të koalicionojnë me ndonjë parti tjetër në zgjedhjet lokale, së paku në raundin e dytë. Të gjitha partitë janë në qëndrimin se ata që dëshirojnë koalicionim, duhet pranuar programin zgjedhor dhe politikat e tyre.
Sipas sondazheve të fundit sa i përket zgjedhjeve lokale, Aleanca për Shqiptarët është shumë afër BDI-së me besimin e popullit, ndërsa rritje të konsiderueshme ka fituar edhe Lëvizja Besa.//Zhurnal.mk