‘Beteja të përgjakshme’ për fabrikën e çelikut Azovstal – rënia e Mariupolit do të ishte ‘shkatërruese’, vlerëson politikania ukrainase

Forcat ukrainase brenda fabrikës Azovstal të Mariupolit kanë pasur “beteja të vështira të përgjakshme” kundër trupave ruse, ka thënë komandanti i regjimentit Azov.

Në një mesazh të mërkurën, komandanti Denis Prokopenko vlerësoi “përpjekjet mbinjerëzore” të ushtarëve të tij për të zmbrapsur sulmin rus – duke shtuar se situata ishte “jashtëzakonisht e vështirë”, përcjell Telegrafi.

Mesazhi i tij erdhi pasi një zyrtar ukrainas tha se forcat ruse kishin hyrë në territorin e uzinës – bastioni i fundit i forcave ukrainase në qytetin e shkatërruar të Mariupol.

Ndërkohë presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se përpjekjet do të vazhdojnë për të evakuuar civilët nga uzina e madhe industriale.

Dhe një politikane ukrainase thotë se rënia e Mariupolit do të ishte “shkatërruese”.

Duke folur në programin “Today” të BBC Radio 4, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin e Ukrainës në BE, Ivanna Klympush-Tsintsadze, ka thënë se sulmi i Rusisë ndaj fabrikës së çelikut Azovstal nga toka dhe ajri “do të ishte padyshim shumë i dhimbshëm, shkatërrues për ne. Por ne jemi të vendosur të kthejmë të gjitha territoret tona”.

Klympush-Tsintsadze theksoi se forcat ruse janë përpjekur të futen brenda fabrikës së çelikut përmes tuneleve nëntokësore “duke gjetur ndonjë tradhtar” për t’u treguar atyre rrugën, por tha se deri më tani ata kishin qenë të pasuksesshëm.

Dhe ndonëse ka disa sugjerime se ushtarët rusë janë tashmë brenda uzinës, është e paqartë se sa të sakta janë këto raporte.

Klympush-Tsintsadze shtoi se Ukraina “po pret që të ndodhë një mrekulli” në mënyrë që civilët ende të bllokuar në uzinë të mund të shpëtohen.

Ndryshe, Rusia ka thënë se do të zbatojë një armëpushim sot për të lejuar më shumë evakuime të civilëve nga uzina Azovstal.

Dhe e pyetur se sa i besueshëm ishte pretendimi i Rusisë, ajo tha se Rusia ka “shkelur” fjalën e saj kur janë arritur marrëveshjet, por se do të ishte “një mundësi e madhe për të shpëtuar jetën e civilëve të tjerë”.