Besa sfidon Kovaçevskin: Prano zgjedhje dhe e shohim kush ka shumicë në Kuvend
Tetovë, 16 shkurt – Partia opozitare Lëvizja Besa reagon ndaj deklaratës së kryeministrit, Dimitar Kovaçevskit.
Për të parë, siç thonë nga Besa se kush realisht e ka shumicën në Kuvend, Kovaçevski le të pranojë sfidën e opozitës dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Reagimi i plotë i Besës:
Deklaratat e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për rolin e Lëvizjes BESA në Kuvend janë deklarata joserioze dhe tregojnë qasjen e pushtetit aktual se ata duan çdo gjë të kalojnë përmes forcës së numrave, deputetëve të blerë apo shtrembrimit të vullnetit të qytetarëve të vendit.
Lëvizja BESA është opozitë konstruktive e cila e zhveshi komplet regjimin hibrid të LSDM dhe BDI prandaj se si do sillen depuetet e Lëvizjes BESA në Kuvend nuk është punë e kryeministrit Kovaçevski. Ballansi i kushteteve sidomos përmes komisioneve në Kuvend është vendosur në vitin 2020 dhe çdo ndryshim duhet të bëhet vetëm pasi të mbahen zgjedhje parlamentare dhe në Kuvend të vjen përbërje e re parlamentare.
Nëse z.Kovaçevski është i bindur se ka shumicën, i bëjmë thirrje që të pranojë sfidën e opozitës dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa deri atëhere ai mund të “gëzojë” detyrën e marrë si kryeministër nga një shumicë e blerë dhe e shantazhuar që nuk pasqyron realitetin politik të verdiktit të popullit.