Benzinat nga mesnata më të shtrenjta për 5,5 denarë, dizeli për 10 denarë, KRRE do të sjellë vendime në nivel ditor
Shkup, 7 mars – Çmimi i benzinave nga mesnata rritet për 5,5 denarë për litër, ndërsa i dizelit për 10 denarë, vendosi sonte Komisioni rregullator për energjetikë.
Vendimi i këtillë është sjellë për shkak të rritjes rekorde të të gjitha derivateve të naftës në bursat botërore, ndërsa nga KRRE paralajmërojnë se do të sjellin vendime në nivel ditor nëse ka nevojë.
“Nga dita në ditë në mënyrë drastike po rriten çmimet e derivateve të naftës në bursat botërore, ndërsa plotësisht kësaj edhe kursi i dollarit shënon rritje, këto janë faktorë kyç të cilët ndikojnë ndaj çmimit të fundit. Për shkak të gjendjes së komplikuar gjeopolitike e cila reflektohet ndaj çmimit të energjensëve, ndërkaq me qëllim që të ketë siguri dhe stabilitet në tregun me derivate të naftës dhe të mbrohen konsumatorët nga oscilimet e mëdha të çmimeve, nga tash e tutje KRRE do të sjellë vendime në nivel ditor për çmime të derivateve të naftës, nëse çmimet e bursave kanë ndryshime të konsiderueshme. Ky parim do të zbatohet çdoherë në gjendje të ndryshimeve ekstreme ditore në çmimet e bursave”, deklaroi sonte kryetari i KRRE-së, marko Bislimovski.
Për gjendjen në sektorin e naftës, KRRE e informoi edhe Qeverinë dhe analizat u janë vënë në dispozicion me qëllim që të sillen vendime adekuate për t’u mbrojtur standardi i qytetarëve.
Sipas Bislimovskit, derivate të naftës ka në sasi të mjaftueshme, por problem është çmimi i lartë, që nuk është rast vetëm tek ne, por edhe në Evropë.
“Është e domosdoshme të gjithë të sillen në mënyrë racionale në një gjendje të këtillë të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme, për të cilën nuk dihet se sa do të zgjasë dhe me çfarë epilogu”, bën thirrje Bislimovski.
Nga KRRE theksojnë se çmimet e derivateve të naftës në bursat botërore rriten mbi 21 për qind.
Në pajtim me vendimin e ri të KRRE-së, nga mesnata çmimi i ri i EUROSUPER BS-95 do të jetë 89,50 den/litër, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të shitet me çmime prej 91,50 den/litër. Çmimi i ri i deizelit do të jetë 85,50 den/litër.
Çmimi i vajit Esktra të lehtë për amvisëri rritet për 9 denarë për litër dhe do të shitet me çmim prej 83,50 den/litër, përderisa mazuti do të rritet për 6,149 den/kilogram dhe çmimi i ri do të jetë 54,319 den/kg.

