Bekteshi: Paga minimale në muajin mars ritet rreth 20.500 denarë

Shkup, 7 shkurt – Muajin e ardhshëm paga minimale do të jetë ndoshta rreth 20.500 denarë në sektorin privat dhe publik, dhe ato mjete janë të parapara me Buxhetin e vitit 2023. Por, për të pasur barazi, pagat në administratën shtetërore duhet të rriten edhe në mënyrë lineare për 2000 denarë, mjete të cilat janë të parapara në të gjitha institucionet, tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Nëse për këtë do të merret një zgjidhje ligjore, Bekteshi është i bindur se të gjitha partitë politike do të japin mbështetje.

Sipas tij, Ministria e Financave ka bërë të gjitha përllogaritjet e nevojshme dhe është e gatshme të realizojë rritjen e pagës minimale dhe të pagës së zyrtarëve administrativë.

“Kemi futur një zgjidhje ligjore për përcaktimin e pagës minimale. Metodologjia është plotësisht në përputhje me sindikatat dhe institucionet. Duke pasur parasysh rritjen e pagës minimale, pres që rritja të jetë mbi 2000 denarë në mënyrë lineare për secilën kategori në administratën shtetërore. Nëse dikush kundërshton rritjen e pagave, mendoj se do të bëjë një gabim të madh dhe nëse do të merret një zgjidhje ligjore, me shumë mundësi do ta mbështesin të gjitha partitë politike. Ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi për të rritur pagat, duke pasur parasysh inflacionin dhe pritjet e qytetarëve dhe në atë drejtim do të veprojmë si Qeveri. Ministri Besimi tha se janë bërë të gjitha projeksionet dhe kalkulimet, këtë edhe e paralajmëroi, theksoi Bekteshi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.