Bekim Sali fton epidemiologët e njohur t’i bashkëngjiten Komisionit për Sëmundje Ngjitëse

Shkup, 30 janar – Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali përmes një shkrimi në Fejsbuk paralajmëroi se së shpejti do të formojë Komision të ri për Sëmundje Ngjitëse dhe ju bëri thirrje profesorëve universitarë Dragan Danillovski, Nikolla Panovski dhe Velo Markovski që të përfshihen si anëtarë të tij.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, natyrisht në pajtim me kompetencat ligjore, si ministër i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, së shpejti do ta formoj Komisionin e Sëmundjeve Ngjitëse. Ky është një organ këshillëdhënës, në përbërjen e të cilit përfshihen ekspertë, të cilët përmes interpretimeve shkencore do të na mundësojnë të propozojmë masa efikase, me kohë dhe ato t’i azhurnojmë në pajtim me gjendjen epidemiologjike”, bën të ditur ministri Sali në shkrimin.

Ai potencoi se fakt i pamohueshëm është se rrethanat e tanishme kërkojnë veprim të përforcuar dhe të koordinuar, në bazë të vlerësimeve profesionale dhe realiste.

“Unë tashmë kam paralajmëruar se ndryshimet që do të ndodhin në këtë organ do të jenë në drejtim të zgjerimit dhe plotësimit të përbërjes së tij me kuadro të reja e profesionale të më shumë fushave. Prandaj, me qëllim që ky proces të jetë efektiv dhe i suksesshëm, dëshiroj t’u bëj ftesë publike edhe profesorëve të njohur, Dr. Dragan Danillovski, Dr. Nikolla Panovski dhe Dr. Velo Markovski, që të bëhen anëtarë të Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse dhe kështu të kontribuojnë në punën e tij”, shtoi Sali.

Ministri i Shëndetësisë potencoi se ka nderin dhe kënaqësinë që ftesën për këta ekspertë ta bëj publikisht, duke u bazuar në ndjekjen e debatit publik rreth mundësisë së përfshirjes së tyre në Komisionin e Sëmundjeve Ngjitëse.

“Zëri i shkencës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër Covid-19. Ta shfrytëzojmë atë në mënyrën më të mirë. Nëse për çfarëdo arsye nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, u bëj ftesë publike që të jenë pjesë e ekipit tim të këshilltarëve”, shtoi ministri Sali në publikimin në Fejsbuk.