“BE me TY” në Rajonin planor juglindor

Shkup, 5 gusht – Euroambasadori Dejvid Gir sot dhe nesër në kuadër të fushatës “BE me TY”, do të qëndrojë në Rajonin planor juglindor, ku do t’i vizitojë komunat Bosilovë, Strumicë, Dojran dhe Konçe.

Gir, bashkë me zëvendësministrin e Bujqësisë, Trajan Dimkovski dhe kryetarin e Bosilovës, Zoran Zimbakov, sot do ta vizitojë digën Çaushicë, që është rikonstruuar me ndihmë financiare nga BE-ja. Në Strumicë, euroambasadori Gir do të takohet me përfaqësues të organizatave civile dhe aktivistë të rinj në Shtëpinë evropiane, por edhe me artistë dhe gazetarë lokalë.

Nesër, bashkë me kryetarin e Dojranit, Ango Andov do t’i vizitojë dy projektet të cilat i financoi BE-ja në kuadër të Programit për konkurrencë lokale dhe rajonale – Parkun e Qytetit dhe Skenën e hapur verore në Dojran. Njëherësh, me kryetarin e Konçes, Bllagoj Iliev do t’i vizitojë rrugën e rikonstruuar dhe shtigjet malore në këtë Komunë.