BE-ja para se të ndihmojë Ballkanin Perëndimor kërkon reforma të prekshme!

Shkup, 17 shtator – BE-ja është oksigjen për rajonin e Ballkanit Perëndimor e kjo është dëshmuar dhe vërtetuar shumë herë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, më 19 shtator do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej gjashtë miliardë eurosh është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon. E realizimin e këtij plani mezi e pret rajoni por paraprakisht duhet të ketë reforma të dukshme e të prekshme, shkruan Zhurnal.

Së pari reformat e pastaj milionat –

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, më 19 shtator do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej gjashtë miliardë eurosh është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon.

Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së. Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani. Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së. Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.

Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian. Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor. Si arsye jozyrtare përmendet fakti se Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende planin e saj. Dhe, marrë parasysh se në këtë vend së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, këtë nuk pritet ta bëjë deri në tetor.

Këto vonesa mund të ndikojnë, pastaj, që të mos realizohet qëllimi i Presidencës hungareze të BE-së, që pagesat e para për vendet më të avancuara, të bëhen para fundit të këtij viti. Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera. Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera. Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.

Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni. Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia. Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, ka raportuar REL.

Kujtojmë që, ndihmat e BE-së për rajonin në tërësi janë të pakrahasueshme me ndihmat që vijnë nga shtetet tjera. Por, se sa fiton vendi ynë kjo varet prej projekteve të cilat hartohen e me të cilat aplikohet. Fondet ndahen nga BE-ja por nëse nuk shfrytëzohen të njëjtat kthehen nga kanë ardhur dhe u dërgohen shteteve tjera. Prandaj është jetike për vendin nëse do të ishin vendosur profesionistë të fushës në këto pozita dhe do të kishin hartuar sa më shumë projekte të dobishme për vendin dhe qytetarët, e të cilat do të kishin gëzuar edhe përkrahjen dhe mbështetjen financiare të BE-së. E posaçërisht të fondeve që janë të ndara pikërisht për këto çështje.

Kujtojmë që, Maqedonia e veriut gëzon statusin shtet kandidat për BE që nga viti 2005, dhe ende është në proces të anëtarësimit, por që negociatat nuk kanë filluar ende. Vitin që lamë pas negociatat janë hapur, por vendit i është kërkuar të bëjë ndryshimet kushtetuese përmes ët cilave raportet fqinjësore me Bullgarinë do të stabilizoheshin përjetësisht. Mbetet të shishet nëse deri në vjeshtë do të realizohen këto ndryshime ose jo, edhe pse gjasat janë minimale pasi kërkohet mbështetja opozitare e kjo mungon. Nëse nuk ndodhin ndryshime kushtetuese të kërkuara vendi kthehet në pikën zero dhe distancohet nga anëtarësimi në BE për një kohë të caktuar. /Zhurnal.mk