BE-ja do të sigurojë më shumë gaz nga Azerbajxhani
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliev sot në Baku kanë nënshkruar memorandum për mirëkuptim për partneritet strategjik në sektorin energjetik.
Memorandumi parasheh detyrimin për të dyfishuar kapacitetin e gazsjellësit Korridori jugor i gazit me qëllim që deri në vitin 2027 të furnizojë të paktën 20 miliardë metra kub gaz në vit në BE.
Rritja e furnizimeve me gaz nga Azerbajxhani do të kontribuojë në qëllimet e diversifikimit të furnizimit të planit REPowerEU dhe gjithashtu do ta ndihmojë Unionin të ndërpresë varësinë nga gazi rus, njoftoi Komisioni Evropian.
Azerbajxhani tashmë ka rritur dërgesat e gazit në BE, nga 8.1 miliardë metra kub në vitin 2021 në 12 miliardë në 2022, bazuar në bashkëpunimin e përforcuar energjetik.
Fon der Lajen ka thënë se Memorandumi i ri hap një kapitull të ri në bashkëpunimin energjetik me Azerbajxhanin i cili është partner kyç i BE-së në uljen e varësisë nga karburantet fosile ruse.
“Ne nuk duam që vetëm të forcojmë partneritetin ekzistues… por edhe të vendosim themelet e partneritetit afatgjatë në fushën e efikasitetit energjetik dhe energjisë së pastër”, tha kryetarja e Komisionit.
Në Memorandum theksohet se BE-ja dhe Azerbajxhani kanë një ambicie të përbashkët për të përshpejtuar zhvillimin dhe vendosjen e kapaciteteve për prodhimin dhe transmetimin e energjisë nga burimet e rinovueshme.
Qëllimi, siç thekson Komisioni është të shfrytëzohet sinergjia mes tranzicionit të BE-së drejt energjisë së pastër dhe kapacitetit të madh të pashfrytëzuar të Azerbajxhanit për energji të burimeve të rinovueshme, veçanërisht në rastin e energjisë në det.
Komisarja evropiane për Energjetikë, Kadri Simson tha se Memorandumi thekson rolin strategjik të Korridorit jugor të gazit në përpjekjet e Brukselit për diversifikim.
Simson tha gjithashtu se bashkëpunimi mes BE-së dhe Azerbajxhanit nuk kufizohet vetëm në furnizimin e gazit, por i referohet edhe vendosjes së burimeve të rinovueshme dhe zgjidhjes së problemit të emetimeve të metanit.

