BE-ja arriti marrëveshje për kursimin e gazit

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian arritën marrëveshje politike për kursime të jashtëzakonshme në konsumin e gazit gjatë dimrit të ardhshëm, njoftoi Këshilli i Evropës.

Është dakorduar që nga 1 gushti i vitit 2022 deri më 31 mars të vitit 2023 konsumi i gazit të ulet për 15 për qind, thuhet në kumtesë.

Ministrat e Energjetikës së vendeve anëtare të BE-së në takimin në Bruksel arritën marrëveshje, për kursime të jashtëzakonshme në konsumin e gazit në kushte të ndërprerjes së plotë të mundshme në furnizimin me këtë energjens nga Rusia për vendet anëtare.

“Ky nuk është mision i pamundur. Ministrat arritën marrëveshje politike për uljen e konsumit të gazit para dimrit të ardhshëm”, njoftoi presidenca çeke me Këshillin e BE-së në Tuiter.

Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord të reduktojnë konsumin e gazit me 15 për qind nga 1 gushti 2022 deri më 31 mars 2023, krahasuar me konsumin mesatar të pesë viteve të fundit, me mundësinë që të vendosin vetë se si ta bëjnë këtë, njoftoi Këshilli i Evropës.

Komisioni Evropian javën e kaluar propozoi plan krize që parashikon masa urgjente që synojnë sigurinë e energjisë në mbarë BE-në në “skenarin e mundshëm” të ndërprerjes së plotë të furnizimit me gaz nga Rusia për vendet anëtare.

Ursula fon der Lajen e përshëndeti vendimin politik të Këshillit të BE-së për pranimin e propozimit për uljen e konsumit të gazit në Evropë.

“Ky është një hap vendimtar për të përballuar një ndërprerje të plotë të furnizimit me gaz. Falë vendimit të sotëm, Evropa është e gatshme të përballet me sigurinë e saj energjetike si Union”, tha Fon Der Lajen.

Kryetarja e KE-së ka kujtuar përmes një deklarate me shkrim se Këshilli i BE-së ka arritur marrëveshje në kohë rekord, bazuar në propozimin e Komisionit të titulluar “Kurseni gaz për një dimër të sigurt”.

“Angazhimi kolektiv për të ulur me 15 për qind është shumë domethënës dhe do të na ndihmojë të mbushim depot para dimrit”, theksoi Fon Der Lajen.

Ajo shtoi se propozimi i miratuar, i cili parashikon mundësinë e shpalljes së një “gjendje të jashtëzakonshme në BE” që do të shkaktojë reduktim të detyrueshëm të konsumit të gazit në vendet anëtare, jep një sinjal të fortë se BE do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar furnizim dhe mbrojtje të sigurt të konsumatorëve, qofshin ato familje apo industri.