BDI po kërkon dorëheqje por jo edhe të Taravarit, a është ky sinjal për një bashkëpunim të ri?

Shkup, 15 prill – BDI si parti opozitare e lodhur në opozitë hera herës aktivizohet me kumtesa të mëngjesit sa për të dhënë shenja jete. Në kumtesen e sotme ka radhitur një varg të emrave të politikanëve që kanë dhënë dorëheqje në rast të tragjedive të ndryshme duke marr shembuj nga vendi e rajoni. Duke aluduar në të njëjtën gjë që duheshte ta bënin edhe politikanët, gjegjësisht, bartësit e funksioneve publik si akt moral pas tragjedisë së Koçanit. Por, ajo që vërehet është kursimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, nga integristët edhe pse barra kryesore bie mbi të, këta të fundit nuk e kanë specifikuar emrin e Taravarit fare, kjo mund të jetë një shenjë që këta veçse kanë filluar bashkëpunimin, shkruan Zhurnal.
BDI po kërkon përgjegjësi por duke kursyer Taravarin –
“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekziston një traditë e qartë: kur ndodh një tragjedi e madhe, ministrat japin dorëheqje – si një akt moral, si shprehje e ndërgjegjes dhe respektit ndaj qytetarëve. Në vitin 1993, kur ra një aeroplan mes Shkupit dhe Ohrit me qindra viktima, ministri Peshev dha dorëheqje.
Kur u mbyt një anije me turistë bullgarë, ministri Janakieski bëri të njëjtën gjë – edhe pse dorëheqja nuk u pranua. Pas tragjedisë me spitalin modular në Tetovë, ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, dhanë dorëheqje – edhe pse të papranuara, ato ishin një akt përgjegjësie morale.
Edhe kur drejtësia u përkul nën presion politik në rastin e vogëlushit Almir, ministri i Drejtësisë Bilen Salihu dha dorëheqje – si një akt i sinqertë përballë padrejtësisë. Por sot, pas një tragjedie në të cilën humbën jetën mbi 60 të rinj – tragjedi që duhej të parandalohej drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Brendshme – as ministri, as drejtori i Byrosë për Siguri Publike nuk kanë dhënë dorëheqje. Përkundrazi, me arrogancë mbulojnë dështimin e tyre.
E njëjta figurë që duhej të parandalonte, sot e udhëheq “hetimin”, akuzon të tjerët dhe përmes presioneve politike mbi prokurorinë përpiqet të bëjë pazare për të shpëtuar veten. Kjo nuk është vetëm rënie morale e një funksionari – ky është fytyra e vërtetë e një pushteti që nuk e njeh kuptimin e përgjegjësisë.
Ky është një sistem që fillimisht i flijon qytetarët, e më pas e flijon të vërtetën. Përgjegjësia nuk është deklarative – ajo dëshmohet me vepra. Qytetarët kërkojnë drejtësi – politike, institucionale dhe morale”, thuhet në kumtesen e BDI-së.
Çfarë solli në përafrimin e BDI-së dhe Arben Taravarit?
Në politikë e pamundura nuk ekziston aq më pak me këta akterë politikë në kampin shqiptarë, ku secili ka bashkëpunuar të paktën njëherë me secilin. Zgjedhjet e kaluara bashkuan katër parti politike në një koalicion të vetëm të cilin e pagëzuan VLEN, në këtë drejtim u krijua një aspiratë që BDI-në ta dërgojnë në opozitë. E arritën këtë synim menjëherë me ndihmën e qytetarëve, BDI shkoi në opozitë.
Por, problemet brenda VLEN-it veç filluan të shfaqen në fakt, tre partitë politike LD, LB, dhe AAA kanë një harmoni mes vete në funksionim teksa ASH e Taravarit nuk është pjesë e kësaj harmonie, prandaj edhe ky i fundit filloi publikisht të paraqes pakënaqësit e tij. Këtë mbase e bëri në mënyrë të përshpejtuar, përmes një paraqitjeje publike duke i zënë të gjithë në befasi. Ajo që është ironike është fakti se Arben Taravari ndau partinë në dysh në emër të kundërshtimit që ASH mos të shkojë me BDI-në. Tek më një vit më vonë i kujtohet që të krijojë kanale komunikimi me BDI-në, kjo në fakt nuk është e shëndetshme as për Taravarin, as për ASH-në bashkë me gjithë vartësitë e tyre.
Teksa BDI kishte vetëm një kërkesë që nuk e thonin publikisht por punonin për të, ishte përçarja e VLEN-it, e në këtë drejtim po kontribuon edhe vet Taravari. Se kjo gjë po i shkon përshtati BDI-së po dëshmohet edhe në kumtesen e lartpërmendur ku derisa kërkonin dorëheqjen e ndonjërit prej eksponentëve, ministrave e drejtorëve për tragjedinë e Koçanit, kursejnë Taravarin nuk e specifikojnë fare, kështu duke lënë hapësirë për një bashkëpunim të mundshëm, i cili sa është larg aq është afër. /Zhurnal.mk