BDI: Nuk nevojitet zgjidhje e re për provimin e jurisprudencës, por zbatim i Ligjit për Gjuhët

Shkup, 19 Maj, medial.mk/ – Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të VMRO-DPMNE lidhur me kërkimin e një “zgjidhjeje ligjore” për provimin e jurisprudencës, duke vlerësuar se kjo paraqet një përpjekje për anashkalimin dhe sabotimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Nga BDI thonë se problemi nuk qëndron te mungesa e një zgjidhjeje ligjore, pasi sipas tyre zgjidhja tashmë ekziston në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht në nenin 23.

Sipas partisë, ky nen përcakton qartë se të gjitha ligjet e tjera duhet të harmonizohen me Ligjin për Gjuhët brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi, çka nënkupton se nuk nevojitet një zgjidhje e re, por vetëm zbatimi i dispozitave ekzistuese ligjore.

BDI vlerëson se çdo përpjekje për të kërkuar zgjidhje alternative ose paralele jashtë nenit 23 përbën goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe tentativë për ta reduktuar atë në zbatim selektiv dhe të kufizuar.

“Nuk do të lejojmë asnjë interpretim apo ndërhyrje ligjore me të cilën Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të vihej në pozitë të nënshtruar ndaj ligjeve të tjera apo të hapej rruga për zbatim selektiv të tij”, thuhet në reagimin e partisë.

Nga BDI theksojnë se respektimi i Ligjit për Gjuhët nuk është çështje e vullnetit politik, por obligim kushtetues dhe ligjor.

Leave a Reply