BDI do të zgjedhë kryesinë e re

Tetovë, 4 tetor – Pas gati gjashtë orësh në selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël përfundoi  takimi i kryetarit të partisë Ali Ahmeti me të a.q. “grup i zjarrit” që kërkon reforma partiake. Pas këtyre bisedimeve, lideri i BDI-së bëri të ditur se debati në parti do të vazhdojë dhe për dhjetë ditë do të mbahet Kuvendi Qendror ku do të zgjidhet kryesia e re.

“Sot patëm një bisedë me bashkëpunëtorë shumëvjeçarë, me të cilët kam qenë i përfshirë në shumë procese të rëndësishme, në shumë suksese. Ne folëm dhe në thelb debati është kthyer brenda partisë. Më 15 tetor do të mbahet Kuvendi Qendror ku do të diskutohet për situatën politike, por edhe do të zgjidhet kryesia e re dhe po të njëjtën ditë kryesia e re do të kthehet në selinë e BDI-së ku ndër të tjera do të bisedohet për situatën politike dhe do të ketë raport nga përbërja qeveritare e BDI-së”, deklaroi Ahmeti në konferencën për shtyp i shoqëruar nga Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Izet Mexhiti, Sadulla Duraku dhe Nevzat Bejta.

Në pyetjen e një gazetari nëse është “shuar zjarri” i të a.q. grupi i zjarrit, Ahmeti tha se “nuk ka pasur zjarr” dhe debati partiak do të vazhdojë.

“Në bazë të analizave do të vazhdojmë me debatet. Nuk ka zjarr, nuk ka flakë, karakteristikë e BDI-së është se asnjëherë nuk është bërë përpjekje për të shuar mendimin e ndryshëm, për ta shtypur atë apo për të bërë luftë kundër mendimit të ndryshëm, përkundrazi, duke e respektuar atë kemi ardhur në vendimet e drejta. Pra nuk ka zjarr dhe nuk do të ketë”, deklaroi Ahmeti.

Deputeti Izet Mexhiti, njëri nga të a.q. Grupi i zjarrit tha në pyetjen e një gazetari se ishte i kënaqur, ndërsa për zëvendësimin e kërkuar të zëvendëskryeministrit Artan Grubi tha se debati për kërkesat e tyre do të vazhdojë.

“Debati do të kthehet në BDI, organet do të vendosin se çfarë do të bëjnë me kërkesat tona”, theksoi Izet Mexhiti.

Ky takim dhe vendimet erdhën pasi mediat publikuan letrën më 24 shtator në të cilën zyrtarë të BDI-së, të cilët e quanin veten “grup zjarri”, kërkonin nga kryesia që të ndalojë””luftën” në parti dhe zyrtarë të caktuar të pushtetit ekzekutiv të mbajnë përgjegjësi. Ky është takimi i dytë pas atij të 29 shtatorit, ku u debatua në drejtim të një marrëveshjeje brenda partisë.