Bazat amerikane në Gjermani dhe krahu lindor i NATO-s

SHBA do të investojnë vitin e ardhshëm një gjysmë miliardë dollarë në bazat amerikane në Gjermani. Me luftën në Ukrainë Gjermania rikthehet plotësisht në vëmendjen ushtarake të SHBA , shkruan Auron Dodi.

Për opinionin publik në Gjermani lajmi erdhi papritur. Në buxhetin e qeverisë së SHBA për vitin 2023 janë caktuar 506 milionë dollarë për bazat ushtarake në Gjermani, në landin federal jugperëndimor të Rheinland-Pfalzit. Mbi gjysmë miliardi dollarë do të investohen tani në bazat ushtarake amerikane në këtë land, Baumholder dhe Weilerbach.

Në atmosferën e luftës në Evropë, ky lajm u mirëprit nga shumë njerëz në Gjermani. SWR1, radioja kryesore publike e landit federal të Rheinland-Pfalzit, i hapi disa emisione radhazi lajmesh pikërisht me lajmin e investimeve amerikane. Ministri i Brendshëm i këtij landi, Roger Lewentz, deklaroi pas udhëtimit për këtë shkak në SHBA se “ky është projekti më i madh ushtarak jashtë SHBA.”

Për se do të përdoren mjetet? Me 207 milionë dollarë, në bazën e Baumholderit do të ndërtohet një seli e re për stacionimin e trupave shtesë amerikane. Veç kësaj do të ndërtohen edhe shtëpi dhe shkolla për amerikanët. Ndërsa 299 milionë dollarë do të përdoren për të ndërtuar një spital të ri amerikan në Weilersbach. Ndërtimi do të fillojë këtë vit, në tremujorin e tretë.