Batak: Investojmë 7,5 milionë euro në rindërtimin e pistës në Aeroportin e Shkupit

Shkup, 19 mars – Me investim prej 7,5 milionë euro do të rinovohet pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Përkundër krizës, po hyjmë në këtë investim kapital meqë ai do të përmirësojë edhe më shumë cilësinë e punës dhe shërbimeve që i ofron Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, thekson në intervistën për MIA-n Metin Batak, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Me planin operativ që e kanë përpiluar, siç shprehet ai, rehabilitimi i pistës do të ketë ndikim minimal në fluturimet dhe udhëtarët.

Batak, në intervistë ndan informacione edhe për orarin e ri veror të radhës të fluturimeve, që hyn në fuqi më 28 të këtij muaji, në të njëjtën ditë kur fillojnë aktivitetet ndërtimore për rinovimin e pistës.

Aviokompanive dhe faktorëve të tjerë në komunikacionin ajror ua kanë paralajmëruar rehabilitimin e pistës një sezon të tërë më parë, në mënyrë që të mund t’i planifikojnë dhe përshtatin me kohë oraret e fluturimeve.

Më 28 mars duhet të fillojë rehabilitimi i pistës në aeroportin e Shkupit. Këto janë aktivitetet e para për rinovimin e pistës pasi e morët përsipër menaxhimin e aeroportit. Çfarë përfshin rehabilitimi dhe çfarë aktivitetesh janë parashikuar?

– Rinovimi i pistës, respektivisht rehabilitimi i saj, është proces i aktiviteteve ndërtimore me të cilat rinovohet shtresa e sipërme e asfaltit të shtegut fluturues-aterues të aeroplanëve. Kontakti i vazhdueshëm fizik me avionët dhe ekspozimi ndaj kushteve të ndryshme të motit pas një periudhe të caktuar kohore çojnë në konsumim e çdo pistë dhe shfaqet nevoja për riparimin e saj. Është aktivitet standard i të gjitha aeroporteve në botë që ndërmarrin aktivitete të ngjashme për rinovimin e pistave. Rikonstruksioni i fundit i pistës në aeroportin e Shkupit është bërë në vitin 1996 kur riparimi është bërë në thellësi më të madhe të asfaltit. Ndryshe nga atëherë, aktivitetet aktuale do të përfshijnë vetëm riparimin e shtresës sipërfaqësore.

Kur e planifikuam këtë ndërhyrje, i analizuam në detaje praktikat më të mira botërore në këtë segment dhe përvojën nga aeroportet e tjera të Grupimit TAV, si p.sh. në Gjeorgji, dhe morëm vendimin më përkatës që është në interesin e të gjitha palëve të prekura.

Sa do të zgjasë ndërhyrja dhe sa do të kushtojë?

– Pas analizave të gjerësishme, vendosëm që aktivitetet ndërtimore për riparimin e pistës do të zgjasin gjithsej 50 ditë, duke filluar nga data 28 mars deri më 16 maj dhe do të kushtojnë rreth 7,5 milionë euro. Gjatë gjithë kësaj periudhe punimet ndërtimore do të zhvillohen çdo ditë nga ora 9 deri në orën 17 pasdite, kur do të riparohet nga një pjesë e gjatësisë së përgjithshme të pistës që arrin 2.950 metra.

Gjatë kësaj kohe nuk do të ketë fluturime dhe ulje të aeroplanëve. Gjatë pjesës tjetër të ditës, respektivisht nga ora 17 pasdite deri në orën 9 të ditës së nesërme, aeroporti do të jetë operativ dhe fluturimet do të shërbehen normalisht. Vendosëm që punimet ndërtimore t’i realizojmë vetëm në një gjysmë dite në mënyrë që të mos ketë nevojë për mbyllje të plotë të aeroportit. Mund ta kishim përfunduar rehabilitimin edhe për një periudhë më të shkurtër prej 50 ditësh, por kjo do të nënkuptonte mbylljen e aeroportit dhe ndërprerje të plotë të komunikacionit ajror. E ne nuk donim ta bëjmë këtë.

A do të reflektohen aktivitetet në zhvillimin e komunikacionit ajror, në procedurat për udhëtarët, çfarë duhet të dinë ata për këtë proces?

– Me planin operativ që e kemi përpiluar, rehabilitimi i pistës do të ketë ndikim minimal në fluturimet dhe udhëtarët. Gjëja më e rëndësishme është që publiku të dijë se Aeroporti i Shkupit nuk do të mbyllet gjatë periudhës së rehabilitimit të pistës, por do të jetë i hapur për udhëtarët 24/7. Nuk do të ketë vetëm fluturim ose ulje të avionëve nga ora 9 deri në 17, por të gjitha segmentet tjera që janë pjesë e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit do të punojnë pa ndërprerje. Sportelet tona për paraqitje do të ushtrojnë kontrollimin e udhëtarëve dhe bagazhit, shërbimet tona tokësore do të përgatiten për të pranuar fluturimet, segmentet tona transportuese do të ngarkojnë dhe shkarkojnë bagazhet nga aeroplanët , etj. Ndërtesa e terminalit, së bashku me të gjitha restorantet, shitoret dhe objektet shoqëruese do të punojnë sipas orarit të fluturimeve nga ora 17 deri në orën 9 në mënyrë që t’u shërbejnë udhëtarëve tanë. Ende vlen rekomandimi që udhëtarët të mbërrijnë në aeroport 3-4 orë para kohës së caktuar për fluturim, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme për të mbaruar procedurat e nevojshme për udhëtim.

Krahas rehabilitimit të pistës, çfarë mund të presim tjetër si investim në aeroportet, para krizës paralajmëroni zgjerimin e terminaleve, sportele plotësuese…

– Rehabilitimi i pistës është projekt kompleks që kërkon shumë analiza dhe planifikim operativ dhe për momentin jemi plotësisht të përkushtuar në realizimin e tij. Përkundër krizës, ne po hyjmë në këtë investim kapital meqë ai edhe më shumë do të përmirësojë cilësinë e punës dhe shërbimeve që i ofron Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Rehabilitimi i pistës nuk është investimi i parë në krizë, meqë gjatë gjithë periudhës së krizës së Kovid-19, TAV Maqedonia vazhdimisht ka investuar në masa të ndryshme në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit me qëllim të rritjes dhe avancimit të masave të sigurisë dhe shëndetit për udhëtarët tanë dhe të punësuarit. Investuam në implementimin e protokollit të ri për menaxhimin e aeroporteve në kohë pandemie, investuam në masa më të hollësishme dhe më të shpeshta në ndërtesat terminale të dy aeroporteve, investuam në sigurimin e numrit të madh të personelit në mënyrë që t’i ndjekim me sukses rregullat e reja për udhëtim, etj.  E mbi të gjitha, investuam në digjitalizimin e mëtejshëm të proceseve, gjë që është vendimtare për zhvillimin e ardhshëm të secilit aeroport.

Rehabilitimin e filloni pothuajse në të njëjtën periudhë nga hyrja në fuqi e orarit veror të fluturimeve. Çfarë do t’u sjellë udhëtarëve orari i ri i fluturimeve?

– Po, orari veror i fluturimeve fillon më 28 mars dhe po atë ditë do të nisin punimet ndërtimore për rehabilitimin e pistës.

Aviokompanive dhe faktorëve të tjerë në komunikacionin ajror ua kemi paralajmëruar rehabilitimin e pistës një sezon të tërë më parë, në mënyrë që të mund t’i planifikojnë dhe përshtatin me kohë oraret e fluturimeve.

Momentalisht, orari veror i fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ka 35 destinacione.

Të gjitha destinacionet që i kishim vitin e kaluar do të vazhdojnë, përveç Moskës, Shën Petersburgut dhe Kievit. Edhe pse si linja ajrore u lëshuan për herë të parë në krizën e kovidit në vitin 2020 dhe 2021, në këtë moment këto tri linja nuk janë operative.

Në këtë orar veror të fluturimeve kthehen edhe disa linja që i kishim para pandemisë së Kovid-it, por gjatë sezonit të dimrit ende nuk ishin kthyer.

Një tjetër linjë ajrore që shpresojmë se do të kthehet, pas përfundimit të rehabilitimit të pistës, është Varshava, me aviokompaninë polake LOT, e cila, që njëjti si linja ajrore deri në Stamboll, shfrytëzohej nga udhëtarët tanë si lidhje për të udhëtuar deri në SHBA.

Është paralajmëruar edhe linja e re ajrore për lidhje të drejtpërdrejt të Shkupit dhe Sofjes. A janë përkufizuar gjërat për fillimin e saj dhe cilat janë vlerësimet për qëndrueshmërinë e saj? A mund të presim edhe linja të tjera të reja?

– Për fat të keq, pasojat e krizës së Kovid-19 po ndihen ende globalisht dhe nevojiten së paku edhe dy ose tre vjet për rimëkëmbjen e komunikacionit ajror në nivel botëror.

Risi në orarin veror të fluturimeve është linja ajrore Shkup-Sofje, e cila besojmë se do t’u japë nxitje edhe edhe më të madhe turizmit dhe ekonomisë në vend.

Çdo aviokompani para prezantimit të ndonjë linje ajrore bën analiza dhe vlerësime të hollësishme për qëndrueshmërinë e saj, shpenzimet dhe të ardhurat, kështu që besoj se edhe në këtë rast kjo nuk është përjashtim.

Me krizën shëndetësore u ndërlidh kriza energjetike, lufta në Ukrainë… Në rrethana të këtilla, cilat janë pritshmëritë tuaja për situatat në komunikacionin ajror në periudhën e ardhshme?

– Dy vitet e fundit kanë qenë dhe janë vërtet sfiduese për sektorin ajror. Filloi me krizën e kovidit, vazhdon me zhvillimet politike dhe ekonomike globale. E gjithë kjo ndikon në të gjithë sektorët e biznesit, duke përfshirë edhe komunikacionin ajror, kështu që përshtatjet e shpejta me çdo situatë të re janë të domosdoshme dhe u treguan si vendimtare gjatë gjithë kësaj periudhe. Ka shumë sfida me të cilat TAV Maqedoni po përballet me sukses, gjithmonë duke i organizuar proceset dhe kushtet e punës sipas standardeve më të larta globale të aviacionit, për çka janë dëshmi edhe mirënjohjet ndërkombëtare që i marrim.

Sa pasagjerë dhe fluturime janë shërbyer që nga fillimi i vitit dhe çfarë tregojnë në raport me shifrat në dy vitet e fundit?

Në dy muajt e parë të këtij viti, TAV Maqedoni ka regjistruar gjithsej 215.227 udhëtarë në dy aeroportet, Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportin  Shën Apostulli Pali Ohër. Kjo është një rënie prej 29 për qind të numrit të përgjithshëm të udhëtarëve krahasuar me shifrat e janarit dhe shkurtit të vitit 2019, si vit referent.

Në raport me vitin 2021, numri i udhëtarëve në dy muajt e parë të këtij viti është rritur për 107 për qind.

Numri i fluturimeve në dy aeroportet në dy muajt e parë të këtij viti është 1900 fluturime, që është 46 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të të vitit të kaluar, por është për 26 për qind më pak në krahasim me vitin 2019.

Besojmë se trendi pozitiv i udhëtimeve ajrore, i mbështetur nga procesi momental i heqjes së kufizimeve komplekse të kovidit për udhëtime të vendosura nga vendet e ndryshme, të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.