Barometri i korrupsionit, më shumë raste të turbullta se sa të pastërta

Shkup, 5 gusht – Barometri për Korrupsion i muajit korrik i përpunuar nga Transparency International-Maqedoni ka regjistruar më shumë raste të “turbullta” se sa të “qarta”. Gjatë aktivitet për monitorimin e rasteve të lidhura me sjelljet korruptive dhe luftën kundër korrupsionit, si raste të trubullta janë evidentuar hetimi nga Prokuroria ndaj dy kandidatëve nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, mos dorëzimi i listave anketuese nga gjashtë deputetë të përbërjes së re parlamentare.

“Dosjet për një ish dhe një kandidat aktual të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë Pavel Shatev janë ndër gjërat e sekuestruara gjatë bastisjes në këtë institucion. Rasti është hapur falë të dhënave që Prokuroria ka marrë nga telefoni i të dyshuari Naqe Georgiev, gjykatës suprem, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet rasti për veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatën për shtyp të TI-së.

Barometri vë në dukje edhe një zëvendësministër në qeverinë teknike, i cili ka sjell 189 vendime të diskutueshme për sistemim të punonjësve, dhe sipas Transparenc International kjo ngre dyshime se ai ka shkelur dispozitat ligjore. “Revizorët përpilojnë raporte, prokurorët hapin çështje” titullohet rasti tjetër “i turbullt” për muajin korrik.

“Nga 40 rastet që kanë të bëjnë me raportet e revizionit, për të cilat Enti Shtetëror për Revizion ka kërkuar të dhëna nga Prokuroria më pak se dy muaj më parë, rasti I ‘Onkologjisë’ është i vetmi që është në fazën hetimore, disa janë mbyllur sepse nuk ka pasur bazë për ndjekje penale dhe në shumicën e tyre kontrollet janë ende në vazhdim. Në pritje të një epilogu, Prokuroria pretendon se po shqyrton të gjitha raportet”, sqarojnë nga Transparency International-Maqedonia.

Në raste të “pastërta”, Transparent International – Maqedoni përmend kallëzimin penal kundër pesë personave për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ndaj dy personave për “punë të pakujdesshme në shërbim”, kallëzim penal kundër drejtorit të një konvikti shtetëror studentor në Manastir që dëmtoi buxhetin e MASH-it dhe kallëzim penal ndaj tre policëve që morën ryshfet.