Barcelona gjen sponsor të ri

Pas disa javësh thashethemesh, Barcelona më në fund ka gjetur një sponsor të ri. Klubi katalanas ka arritur akordin me platformën e njohur muzikore, “Spotify” për një periudhë katërvjeçare. Siç thuhet në komunikatën për shtyp, nga sezoni i ardhshëm, marka suedeze do të shfaqet në pjesën përpara fanellave të ekipeve të para të Barcelonës për meshkuj dhe femra. Marrëveshja më e rëndësishme është ajo e emrit të stadiumit legjendar “Camp Nou’.

Duke nisur nga edicioni i ardhshëm, ky impiant do të quhet “Spotify Camp Nou”. Barcelona nuk i ka bërë të ditur të dhënat e operacionit me kompaninë suedeze, por sipas mediave të ndryshme të specializuara katalanase, marrëveshja shkon në rreth 70 milionë Euro në sezon për katër vite. Pra në total, 280 milionë Euro, një kontratë e ngjashme me atë të nënshkruar nga Real Madrid me linjën ajrore Emirates.

Marrëveshja duhet t’i nënshtrohet votimit të përfaqësuesve të klubit gjatë një mbledhjeje të përgjithshme të jashtëzakonshme. Zyrtarizimi do të kryhet përmes një videokonference të programuar për t’u mbajtur më 3 Prill.