Ballkani i Hapur është zëvendësim i Procesit të Berlinit dhe largon shtetet kandidate nga BE-ja

Shkup, 17 qershor – Ballkani i Hapur mbyllë shpresat e anëtarësimit të shteteve kandidate për në BE. Çdo nismë rajonale është dobiprurëse kur bazohet në diçka të re, por kur iniciativa mbështetet në plane e projekte ekzistuese shihet tendencë për zëvendësim. E një nismë e tillë për bashkëpunim rajonal ekonomik e në sfera të tjera është ndërmarrë në Procesin e Berlinit, përmes të cilit të ndihmohen shtetet në rrugëtimin evropian. Por, tani një skenarë i fshehtë është duke u zhvilluar në rajon, që në emër të bashkëpunimit rajonal me idenë e “Ballkanit të Hapur” të mbyllet Ballkani të izolohet e të distancohet nga BE-ja, e kjo në mënyrë të qartë të ndikojë në rritjen e influencës ruse në rajon. Pse ka qenë i nevojshëm nisma e Ballkanit të Hapur kur ka ekzistuar Procesi i Berlinit?. Prandaj, lirshëm mund të konstatohet se ideja e Ballkanit të Hapur ka një qëllim që nuk është më mister por dihet publikisht, devijimi i rrugëtimit evropian, shkruan Zhurnal.

Çfarë përmban Procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, qëllim i së cilës është lehtësimi i bashkëpunimit rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6) – Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, me vizionin që t’iu ndihmohet në përmbushjen e kritereve për të u anëtarësuar në Bashkimit Evropian. I nisur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, komponenti i tij më i rëndësishëm i procesit të Berlinit, është e ashtuquajtura “Agjenda e Konektivitetit”, e cila fillimisht synon që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes vete në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.

Agjenda e Konektivitetit synon përmirësimin e koneksionit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve të BE-së. Përmirësimi i lidhjeve në infrastrukturë sjell përfitime të dukshme për ekonomitë dhe banorët e rajonit.

Një proces i filluar 8 vite më parë i iniciuar nga zonja e hekurt, Angela Merkel, për të mirën e rajonit dhe lehtësimin e rrugëtimit për BE, nuk është realizuar në tërësi. Tani, kur projektet e filluara nga Merkel nuk përmbushen, çfarë nevoje ka rajoni të ketë projekte të iniciuara nga Vuçiqi. Kur gjithë liderët evropianë, e në veçanti pasuesi i Merkel, Olaf Scholz, vazhdimisht apelon që fokusi të kthehet te Procesi i Berlinit.

Çfarë përmban “Ballkanit i Hapur”?

Ideja e Ballkanit të Hapur është ide pas së cilës fshihet ideatori, ka filluar me enigmë e me thirrje për bashkëngjitje për gjitha shtetet e rajonit, por që deri më tani nuk ka rezultuar e suksesshme.

Nisma “Ballkani i hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme. Por, Kosova që nga fillimi ka hedhur poshtë një mundësi të tillë edhe përkundur presionit të Rames i cili e luan rolin e “tellallit” të Vuçiqit.

Në vete kjo ide përmban marrëveshje bashkëpunuese vetëm mes shteteve që e mbështesin këtë ide, dhe shtetit propozues të idesë, Serbisë, por po të njëjtat marrëveshje e qëllime bashkëpunimi janë paraparë në Procesin e Berlinit. Pra, ka qenë e nevojshme që këto marrëveshje të nënshkruhen e të futen në zbatim në emër të Procesit të Berlinit, e jo në emër të një ide ku ende ideatori mbahet sekret nga shtetet pjesëmarrëse, edhe pse dihet më.

Ballkani i Hapur tenton të zëvendësojë Procesin e Berlinit

Tentimet për të zëvendësuar idenë e Merkelit me atë të Vuçiqit janë të pakuptimta dhe të panevojshme, madje janë tejet të dëmshme për vendin dhe rajonin. Prandaj, nuk ka nevojë për një bashkëpunim të iniciuara nga ide të reja, kur diçka e tillë veçse se ekziston qysh tetë vite më parë. Sikurse thirrjet e kancelarit gjerman që janë të vazhdueshme për fokusim në Procesin e Berlinit.

Një nismë e tillë largon shtet nga Procesi i Berlinit, gjegjësisht anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vuçiq bashkë me Ramen duan ta kërcënojnë BE-në se kinse paskan alternativa tjera të zhvillimit të rajonit, pra me këtë dërgohet mesazh se munden edhe pa BE-në, e kjo i hap rrugë e terren të përshtatshëm ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, një iniciativë rajonale që të ketë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht tre elementet kyçe: Një të ketë gjithëpërfshirje politike. E dyta të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe e treta  të ketë strukturë administrative që do të monitorojë zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e Mini-Shengenit e emëruar me Ballkan të Hapur nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto tre kritere bazë, sepse Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk do të bashkëngjiten në këtë iniciativë e cila është fuqizuese për Serbinë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2004. Ka vetëm statusin e vendit kandidat. Ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim si pasojë e vetos bullgare që kanë të bëjnë me kontestin e hapur kryesisht mbi çështjet historike.

Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2009, është shtet kandidat, por ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim, si pasojë e bllokadës nga Bullgari ndaj Maqedonisë së Veriut, e Shqipëria dhe RMV janë paraparë si shtete bllok të fillojnë negociatat me BE-në. Edhe Mali i Zi është vend kandidat dhe ka aplikuar për pranim në BE në vitin 2008. Serbia, po ashtu, është shtet kandidat dhe ka aplikuar për pranim në BE në vitin 2009. /Zhurnal.mk