Bajden dhe Putin sot do të bisedojnë për kërcënimin serioz nga kriza ukrainase

Presidenti amerikan Xho Bajden dhe ai rus Vlladimir Putin sot duhet të kenë bisedë të re telefonike, ndërsa druarjet se Rusia mund ta sulmojë Ukrainën mund të jenë gjithnjë e më konkrete.

SHBA-ja dje paralajmëroi se sulmi i tillë do të mund të ndodh gjatë 10 ditëve të ardhshme, ndërsa vendet perëndimore u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Ukraina.

Pasi presidenti amerikan mbrëmë mbajti lidhje konferenciale me disa liderë botërorë, këshilltari i tij për siguri kombëtare, Xhejk Saliven gazetarëve u kumtoi se brengosja e tij është se sulmi, për të cilin kohë të gjatë ekziston druarje, mund të fillojë edhe para përfundimit të Lojërave olimpike dimërore më 20 shkurt.

“Mënyra më e shpejtë që t’i jepet fund kësaj është që Rusia t’i tërheq forcat e saj”, tha ai.

Edhe Rusia edhe SHBA-ja pohojnë se pala tjetër e ka kërkuar bisedën telefonike.

“Me të vërtetë, pala amerikane kërkoi bisedë me presidnetin Putin, ndërsa biseda mes dy presidnetëve duhet të mbahet në orët e mbrëmjes”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.

Peskov shtoi se “pala amerikane para dërgesës, ka dërguar edhe letër”.

Ai, po ashtu, tha se Putini për sot pret edhe bisedë me presidentin francez, Emanuel Makron.

Përfaqësuesi zyrtar amerikan, megjithatë, tha se bisedën telefonike mes presidnetëve, Rusia e ka propozuar për të hënën.

“Kundër-propozimi i Shtëpisë së Bardhë ishte që biseda të mbahet të shtunën, gjë që ata e pranuan”, tha përfaqësuesi.