Azem Shkreli dhe Ali Podrimja: Përulje e veçantë për ta

Ishte maji i vitit 1997 kur të dy këta mjeshtra të poezisë së Kosovës i takova njëherësh në një tur poetik nëpër Zvicër. Atëherë vinte era luftë dhe në ende nuk mund të hynim në Kosovë. Ishin njëherësh edhe ditët e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Gjenevë dhe kishin ardhur edhe shkrimtarë nga Shqipëria.

E vërteta është se kam bërë një tur të gjatë poetik me të dy nëpër kolonitë vogla dhe klubet e shqiptarëve. Ka qenë një nga përvojat më të bukura të jetës sime ku muret e brishtë mes letërsisë dhe politikës, lirisë së ëndërruar dhe lirisë së penguar nga serbët, qenies larg në emigrim dhe pranisë në luftë për çlirimin e Kosovës, thuajse ishin shembur. Të gjithë përjetonim të sotmen dhe jetonim të nesërmen e lirisë së Kosovës.

Ato ditë në Gjenevë i bëra edhe një foto me kamerën time Azem Shkrelit, mund të jetë portreti i tij i fundit, pasi pas një aktiviteti poetik në San Galen në u ndamë dhe ai u nis për Gjermani. Ali Podrimja mbeti edhe disa ditë dhe më përcolli, bashkë me bujtësin tonë, Valdetin, në aeroport. Kur u ndamë, sytë e tij kishin lot. Shpesh Ali Podtimja më ka dhuruar foto të çuditshme, të cilat janë në arkivën time.

Kur u ktheva në Shqipëri, gati u ndëshkova se gjithë kohën kisha ndenjur vetëm me poetët e Kosovës dhe nuk i paskësha kushtuar aq kohë shkrimtarëve të Shqipërisë. M’u duk një ndarje e turpshme që doja ta harroja! Dhe e harrova shpejt, sepse … dhjetë ditë pas ndarjes nga Azem Shkreli, tek kthehej në atdhe, ai u lamtumir me ne të gjallët sa zbriti në Aeroportin e Prishtinës. Nuk kishte vdekje më simbolike se kjo për një atdhetar e mjeshtër si ai.

Bëhen 25 vjet nga ajo ikje epike!

Një fat të përafërt kishte edhe poeti Ali Podrimja. Diku buzë një lumi periferive të Parisit iku, mbase i lodhur në kërkim të Lumit të tij, të birit, që dikur ia kishte marrë vdekja në një dhomë spitali.

Ndonjëherë i lutem Zotit të më japë fuqi sa të shkruaj të vërtetat që di, për ata që di dhe ashtu siç i di. Këta dy burra e kanë ndihmuar letërsinë e re shqipe, ka nga ata që e kanë prapuar dhe nuk e kanë portretin e praruar të këtyre dy qenieve të bukura, të cilat kam patur fatin t’i njoh shumë e re.

Me përulje të veçantë për ta!