Autoritetet në Nju-Jork shpallën gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së paralizës së fëmijës

Guvernatorja e Nju-Jorkut, Keti Hokëll njoftoi se shteti i përforcon përpjekjet për luftë kundër paralizës së fëmijëve, pasi virusi i cili e shkakton sëmundjen e rrezikshme për jetë ishte gjetur në kanalizim edhe në një zonë të Nju-Jorkut.

Hokëll shpalli emergjencë ndaj paralizës së fëmijëve, duke lejuar punonjësit e urgjencës mjekësore, mamitë dhe farmacistët të administrojnë vaksinat kundër sëmundjes dhe mjekët të lëshojnë receta të përhershme për vaksinën. Të dhënat e imunizimit do të përdoren për të synuar përpjekjet e vaksinimit aty ku ato janë më të nevojshme.

Autoritetet shëndetësore filluan testimin për gjurmë të virusit të paralizës së fëmijëve në ujërat e zeza, pasi rasti i parë i paralizës së fëmijëve në SHBA pas gati 10 vjet u zbulua në rajonin Rokland në korrik. Rasti i fundit i virusit në kanalizimin e shtetit ishte zbuluar pas testimit të mostrës së marrë muajin e kaluar në rajonin Nasau.

Autoritetet shëndetësore kanë treguar se të gjithë njujorkezët e pavaksinuar duhet të vaksinohen menjëherë. Ata kërkuan gjithashtu doza shtesë për disa njerëz, siç janë punonjësit shëndetësorë në zonat e prekura që trajtojnë pacientët që mund të kenë paralizë të fëmijëve.

Shkalla e vaksinimit kundër paralizës së fëmijëve në shtet ishte 79 për qind, por shkallët ishin më të ulëta në rajonet Rokland, Orinxh dhe Salivan.