Autoritetet në Marok po përpiqen ta shpëtojnë një pesëvjeçar i cili ka rënë në një pus
Maroku është përfshirë nga përpjekjet për të shpëtuar një fëmijë që ra në një pus uji pranë qytetit verior të Chefchaouen.
Fëmija, të cilin mediat lokale e kanë identifikuar si një djalë pesëvjeçar i quajtur Rayan, thuhet se po luante pranë pusit në qytetin Tamrout, 100 kilometra nga Chefchaouen.
Rayan besohet të ketë rënë rreth 32 metra përmes një hapjeje të ngushtë, transmeton Telegrafi.
Operacionet e shpëtimit, të udhëhequra nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile të Marokut, kanë vazhduar që nga mbrëmja e së martës.
Pavarësisht se pësoi një rënie të konsiderueshme, pamjet nga një kamerë e lëshuar në pus treguan se djali është gjallë dhe me vetëdije, megjithëse dukej se vuante nga disa lëndime të lehta në kokë.
Punonjësit e shpëtimit i kanë lëshuar një maskë oksigjeni, ushqim dhe ujë në pus dhe një ekip mjekësor është gjithashtu aty. Në vendngjarje ka mbërritur edhe një helikopter për ta dërguar në spital në momentin që nxirret nga pusi.
Mijëra njerëz kanë parë pamjet e shpëtimit në mediet sociale dhe një grup i madh shikuesish janë mbledhur në vendngjarje.