Audi Skysphere – vetura që me shtypjen e një butoni ndryshon gjatësinë
Skysphere është një nga tre konceptet që paralajmërojnë njëherit dizajne të reja të Audi në një të ardhme të afërt.
Bëhet fjalë për veturën elektrike, e cila ndryshon madhësi dhe transformim nga një GT komfort në një veturë sportive klasike.
Kjo nuk është diçka e re në autoindustri, por ndoshta më e njohura ishte ajo që propozoi Rinspeed. I kthehemi konceptit, që te prodhuesi gjerman thonë se e ka dizajnuar Gael Buzyn dhe ekipi i dizajnit të Audis në Malibu.
Inspirimi për prodhimin e një veture me dizajn të tillë ka rrënjët shumë vite më parë – atë të Horch 853 roadster që ishte shumë i kërkuar gjatë viteve të 30-ta.
Në këtë koncept ajo që vërehet më së shumti është maska e përparme por edhe silueta atraktive e coupe. Me një pamje tejet agresive dhe rrotat prej 23 inç, e bëjnë këtë veturë shumë konkurruese.
Ajo çfarë e bën unike këtë mjet është që me shtypjen e një butoni, Audi rritet për rreth 250 mm. Skysphere mund të tkurret në 4.94 nga 5.19 sa është në total i gjerë, derisa gjerësia është dy metra dhe lartësi 1.23 metra.
Atë e vë në lëvizje motori që prodhon 632 kuaj-fuqi. Tërë forca motorike bartet në rrotat e pasme, e kjo coupe futuristike shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 4 sekonda.
Bateria ka kapacitet prej 80 kWh që siguron autonomi në vozitje prej 500 kilometra – derisa pesha e përgjithshme e mjetit është 1.800 kilogramë.