Astrit Iseni nga foltorja e OKB-së në Nju Jork: Maqedonia e Veriut forcon bashkëpunimin ndërkombëtar

Nju Jork, 07 maj, medial.mk/ – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni po merr pjesë në Forumin Global të United Nations në Nju Jork, kushtuar revizionit të Paktit Global për migracion të sigurt, të rregullt dhe të ligjshëm, i cili mbahet nga 5 deri më 8 maj.

Në fjalimin e tij, Iseni theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet partner aktiv dhe i besueshëm në menaxhimin e migracionit, me fokus të fuqishëm në qasjen humane, koordinimin rajonal dhe modernizimin e kapaciteteve institucionale.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi me International Organization for Migration tashmë po jep rezultate konkrete përmes implementimit të projekteve kombëtare dhe rajonale të orientuara në avancimin e sistemeve për regjistrimin dhe identifikimin e emigrantëve, forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Së bashku po punojmë në zhvillimin e zgjidhjeve moderne të harmonizuara me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim që Maqedonia e Veriut të mbetet partner përgjegjës në menaxhimin rajonal”, potencoi Iseni.

Në kuadër të forumit u theksua edhe rëndësia e koordinimit më të madh ndërmjet shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve, me qëllim të shfrytëzimit më efikas të resurseve dhe sigurimit të mbështetjes së qëndrueshme për institucionet.

Iseni bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon aktivitetet për zhvillimin e zgjidhjeve të reja teknologjike, përmirësimin e interoperabilitetit të të dhënave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.

Forumi Global i Kombeve të Bashkuara përfaqëson platformën më të lartë ndërqeveritare për shkëmbimin e politikave dhe përvojave në zbatimin e parimeve ndërkombëtare, në përputhje me Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Leave a Reply