ASH: Kovaçevski konfirmoi se beteja jonë për t’i dhënë fund pashtetësisë është e drejtë dhe e domosdoshme

Shkup, 10 shkurt – Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate për media kanë reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit Dimitar Kovaçevski lidhur me nënshtetësitë që nuk po mundin ende ti marin qytetarët që kanë aplikuar e ato janë rreth 20mijë, transmeton Zhurnal.

Sipas ASH-së, Agjencia për Siguri Kombëtare në mënyrë arbitrare është duke bllokuar mbi 20 mijë qytetarë në realizimin e të drejtës për marjen e shtetësisë.

Nga ASH paralajmërojnë se do të angazhohen për çdo ditë për zbatimin e plotë dhe jo diskriminues të ligjit për shtetësi.

“Agjencia për Siguri Kombëtare në mënyrë krejt arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin, është duke bllokuar mbi 20 000 qytetarë në realizimin e së drejtës së tyre themelore për shtetësi nga e cila varen shumë të drejta tjera njerëzore, siç janë arsimimi, puna dhe shëndeti. Një Zot e di edhe sa mijëra qytetarë tjerë kanë hequr dorë ndër vite nga e drejta e tyre, përballë obstruksioneve dhe shkeljeve të së drejtave të tyre nga administrata shtetërore.

Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për çdo ditë për zbatimin e plotë dhe jodiskriminues të ligjit për shtetësi dhe për shtet të së drejtës ku asnjë qytetar nuk guxon të privohet arbitrarisht nga një e drejtë themelore që i takon me ligj. Ata që pafytyrësish gënjenin, manipulonin me numra dhe janë përgjegjës për obstruksionet e përditshme që u bëhen qytetarëve pa shtetësi, i mbuloftë turpi”, shprehen nga ASH.//Zhurnal.mk