ASH i përgjigjen BDI-së: VMRO dhe LSDM ju kanë mbrojtur si arusha e bardhë

Shkup, 1 shkurt – Aleanca për Shqiptarët sot përmes një komunikate për media kanë reaguar ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me video montimin e fundit ndaj VMRO-së dhe LSDM-së, e nga ASH thonë se kjo është bërë qëllimisht të defokusohet opinioni nga vdekja e Rexhail Qerimit në burg, informon Zhurnal.

Nga ASH konsiderojnë se videoja erdhi pasi BDI nuk arriti t’u bëjë ballë kritikave në opinion duke kërkuar përgjegjësi nga kjo parti.

“Sa herë që BDI si pjesë e pushtetit 20 vjeçar apostrofohet si përgjegjëse për drejtësinë e mohuar të shumë shqiptarëve që dergjen burgjeve të pafajshëm, ku ata edhe gjejnë vdekjen duke pritur drejtësinë, siç ishte rasti i të ndjerit Rexhail Qerimit, BDI mundohet ta bëjë të pafajshmin madje edhe viktimë.

BDI, duke mos mundur t’i bëjë ballë kritikave të opinionit publik dhe qytetarëve shqiptarë që me të drejtë dëmtojnë imazhin tanimë të rrënuar, duke kërkuar përgjegjësi kjo parti merret me improvizime dhe video ku kritikohet nga eksponentë të LSDM dhe VMRO e në këtë mënyrë pëpiqet të luajë viktimën dhe lë përshtypje se dikush do ta dëmtojë atë”, thuhet në kumtesë.

Nga ASH thonë se pikërisht BDI ishte ajo që vite me radhë ka bashkëqeverisur me LSDM-në e BDI-në ndërsa funksionarët e BDI-së janë ruajtur si arushat e bardha që të mos ndiqen nga institucionet e drejtësisë.

ASH i bënë të ditur BDI-së se asnjëherë nuk janë dëmtuar nga partitë koalicionuese por gjithmonë janë përkëdhelur. Ata përmendin rastet si “Pacient”, “Maxhar Telekom” e të tjera.

“E rikujtojmë BDI-në, se pikërisht LSDM dhe VMRO me të cilët kanë bashkëqeverisur gjatë e kanë ruajtur këtë subjekt politik si arushën e bardhë, duke i kursyer funksionarët e korruptuar të BDI-së nga drejtësia.

Qytetarët dhe i gjithë opinioni e di mirë se BDI asnjëherë nuk është dëmtuar nga subjektet maqedonase, por është përkëdhelur në vazhdimësi. Ju kujtohet rasti “Pacient” i Bujar Osmanit dhe ai i Magjar Telekomit i Ali Ahmetit!? Lëndë të cilat kurrë nuk u hapën, por u shpallën të vjetërsuara, falë gjykatave të politizuara dhe të ndikuara nga gjykatës dhe prokurorë të afërt me LSDM dhe VMRO.

Ajo që ishte më interesante, por edhe qesharake njëkohësisht në videon e publikuar mes eksponentëve që donin ta “dëmtojnë” BDI-në ishte edhe njëri nga partnerët e tyre i koalicionit dhe ish kandidati i LSDM për qytetin e Shkupit, Petre Silegov, për të cilin BDI bashkë me funksionarët e lartë ka bërë fushatë elektorale duke ju kërkuar shqiptarëve dhe votuesve të tyre të BDI që ta votojnë atë si kandidat për qytetin e Shkupit. Çfarë absurdi dhe turpi njëkohësisht!”, thuhet në kumtesën e sotme të ASH-së.//Zhurnal.mk