ASEAN: Situata në Tajvan mund të çojë në konflikt të hapur
Situata në Tajvan mund të çojë në llogaritje të gabuara, konfrontime serioze, konflikte të hapura dhe pasoja të paparashikueshme për fuqitë e mëdha, paralajmëruan sot ministrat e Punëve të Jashtme të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) nga takimi në kryeqytetin e Kamboxhas, Pnom Pen.
“Bota ka nevojë urgjente për mençuri dhe ndjenjë përgjegjësie nga ana e të gjithë krerëve të shteteve për të mbështetur multilateralizmin dhe bashkëjetesën paqësore”, thuhet në deklaratën e ASEAN-it.
Kreu i diplomacisë kineze Vang Ji sot në Pnom Pen do të takohet me përfaqësuesit e ASEAN-it, si dhe me homologun e tij amerikan, Entoni Blinken.
Ushtria kineze filloi sot stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë e tyre rreth Tajvanit, pas vizitës 24-orëshe të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nensi Pelosi në Tajvan.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha sot se gjatë natës, avionë të paidentifikuar, me shumë mundësi drone, fluturuan mbi rajonin e Ishujve Kinmen.

