Arsimi inkluziv, peripecitë e nxënësve të veçantë
“Kisha një nxënës i cili ishte me aftësi të kufizuara. Ne e kemi një sallë, e quajmë sallë solemne në katin e tretë, në të cilën kishim instaluar tabelë smart dhe filluam të mbajmë mësim rregullisht në atë sallë. Kur vinte radha e kësaj klase ku gjendej ky nxënës, klasa kalonte lart, por ai mbetej ose për hir të tij që mos ta shkëpusim, duhej e gjithë klasa të mbetet. Njëherë më tha, profesor a do të ketë mundësi ta shoh apo të mbaj një orë në atë sallë dhe atëherë edhe sot gjithmonë më përshkojnë emocionet. Asnjëherë nuk arrita ta bëj atë ta marrë lart. Unë jam i bindur se ai gjithmonë ka imagjinuar dhe imagjinon edhe tani se si duket ajo klasë.”, – u shpreh mësimdhënësi, Naser Miftari.
Ky rrëfim prekës i mësimdhënësit Naser Miftari është vetëm një rast në mesin e shumë peripecive me të cilat përballen nxënësit me nevoja të veçanta në vendin tonë.
Në procesin mësimor në shkollat e rregullta fillore në vend janë të kyçur rreth 2 mijë persona me nevoja të veçanta, përderisa në shkollat e mesme rreth 300. Por, jo të gjithë e kanë filluar vitin shkollor me kohë. Kjo për shkak të mungesës së asistentëve personal, të cilët janë të nevojshëm për këta nxënës.
Problemi më i madh i nxënësve me nevoja të veçanta është infrastruktura apo qasja e tyre nëpër shkolla, tha kryetari i Shoqatës “Sos Vita”, Ertan Shakiri, ndërsa vuri në dukje edhe problematikën e mungesës së asistentëve personal për nxënësit me nevoja të veçanta.
“Ne ende në shekullin 21 problematikat më të mëdha i kemi trotuaret, qasjet. Nëpër shkolla një person me aftësi të kufizuar duhet të ketë një njeri afër vetes që i ndihmon atij personi që ta ketë një jetë më të mirë, më të lehtë dhe ato njerëz janë të paktë dhe duhet të punësohen. Personat me nevoja të veçanta duhet të kenë asistent.”, – theksoi kryetari i Shoqatës “Sos Vita”, Ertan Shakiri.
Nga Ministria e Arsimit pranojnë se në vend ka mungesë të angazhimit të asistentëve për nxënësit me nevoja të veçanta. Për atë qëllim thonë se këtë vit do të angazhohen rreth 1 mijë profesionistë.
“Me Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm që është duke u përgatitur, asistentët arsimorë do të punësohen edhe në shkollat e mesme, ku deri më tani ndihma arsimore ofrohej përmes projekteve të ndryshme të pushtetit lokal dhe organizatave ndërkombëtare. Me këto ndryshime, shkollat e mesme shtetërore për fëmijët me aftësi të kufizuara do të shndërrohen në shkolla të mesme me qendra burimore dhe do të funksionojnë në mënyrë identike me shkollat fillore me qendra burimore.”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Punësimi i asistentëve profesionalë pritet të ofrojë mbështetje kadrovike dhe të ndryshme për shkollat e mesme të rregullta në organizimin e mësimdhënies për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Me këtë kontribut, TVM2 i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit zbaton në kuadër të projektit “Përdor faktet”.