Arrestohen 18 gazetarë prej se filluan trazirat në Iran

Që nga fillimi i protestave për shkak të vdekjes së vajzës së re Mahsa Amini, autoritetet iraniane kanë arrestuar 18 punonjës mediatik, njoftoi sot Komisioni për mbrojtjen e gazetarëve.

Disa prej tyre u morën nga shtëpitë e tyre gjatë natës, “pa urdhër arresti gjyqësor”, deklaron Komisioni.

U arrestuan gjithashtu aktivistë të së drejtave të njeriut, përfshirë Hosein Ronagi, i cili luftoi për lirinë e shprehjes.

Siç shkruajnë disa nga mediat, Ronagi iku nga policia kur erdhën për ta arrestuar teksa po jepte një intervistë për Iran Interneshëll., me seli në Londër. Megjithatë, policia e ka marrë të shtunën në paraburgim bashkë me avokatët e tij.

“Në kontekstin e dhunës së madhe, autoritetet iraniane fillimisht kufizuan qasjen në Uatsap dhe Instagram, dhe tani po ndalojnë gazetarët me një mesazh të qartë: nuk lejohet përhapja e lajmeve për protestat”, shkruan në komunikatën për shtyp të Reporterëve pa kufij.

Nga aty kërkuan që “gazetarët të lirohen menjëherë, menjëherë të hiqen gjitha kufizimet ndaj së drejtës së iranianëve për informacion”.

Mes gazetarëve të arrestuar është edhe Nilufar Namedi, e cila ka vizituar spitalin ku ndodhej Mahsa Amini në gjendje kome dhe ka kontribuar në përhapjen e informacionit për fatin e vajzës së re. Amini vdiq pas tre ditësh në koma.

Mes të arrestuarve besohet se është edhe fotoreporterja Jalda Moajrei, e cila u bë e famshme për foton e saj të protestave antiqeveritare në nëntor të vitit 2019.

Sipas të dhënave të fundit, janë të paktën 41 viktima në protesta, ndërsa mbi 1.200 persona në Iran janë arrestuar nga publikimi i vdekjes së Amini më 16 shtator.

Protestat filluan pasi vajza u ndalua nga policia për moral, më pas u rrah sepse gjoja, ajo nuk e mbante hixhabin siç duhet.

Policia nuk pranoi të shfaqte pamjet publike të furgonit ku u rrah vajza. Prej aty thonë se ajo ka vdekur nga një atak në zemër, edhe pse familja bëri të ditur se Amini ishte i shëndoshë.