Arrestime për krim të rëndë 6,5 euro për furnizim të aditivëve për KME Manastir dhe KME Osllomej, janë gjetur 130.000 para të gatshme

Shkup, 10 dhjetor – Policia në koordinim me Prokurorinë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHP NKOK) nga herët në mëngjes po zbaton aksion në Veles, Negotinë, Manastir, Kërçovë dhe Shkup lidhur me punën në KME Manastir dhe KME Osllomej për prokurim të aditivëve. Sipas vlerësimeve, është bërë dëm dhe është përfituar dobi kundërligjore pronësore me vlerë 6,5 milionë euro.

Me aksionin janë përfshirë 29 persona, mes të cilëve edhe ish drejtori i KME Manastir, Vasko Kovaçevski, i cili ngarkohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Ai nuk gjendet në shtet dhe për të nuk do të kërkohet paraburgim. Sipas informatave të MIA-s, në aksionin policia ka konfiskuar 130.000 euro para të gatshme.

Ish anëtari i Bordit drejtues të EMV-së dhe drejtori komercial, Ardian Muça, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare sipas nenit 353 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 45 nga Kodi penal. Muça, sipas informatave, ka mundësuar dobi të konsiderueshme pronësore për tjetër person përmes moskryerjes së detyrës së tij zyrtare. Dhe për të, si dhe për Kovaçeskin, nuk do të kërkohet paraburgim, por vetëm masa të kujdesit.

Për tetë persona të përfshirë në aksionin, pritet t’u shqiptohet 30 ditë paraburgim efektiv. Bëhet fjalë për Nebojsha Stojanoviq, Vasko Stefanov, Ranko Stojanoviq, Mirko Stojanoviq, Maja Jordanova, Pece Mateski, Danço Stojanovski dhe Peco Stojanovski. Për Milica Stojanoviq do të kërkohet paraburgim shtëpiak deri 30 ditë, ndërsa për 14 persona pritet të kërkohen masa të kujdesit pa paraburgim.

Është paraparë ngrirje e pronës ilegalisht të përfituar nga periudha e përgatitjes së furnizimit e deri sot (nga viti 2022 deri sot) te personat, për të cilët ekzistojnë baza se janë involvuar në larjen e parave.

Herët në mëngjes janë kryer bastisje dhe privime nga liria te tre persona nga Velesi, 10 nga Negotina, 9 nga Manastiri, gjashtë nga Kërçova dhe një nga Shkupi. Mes tyre janë Danço Stojanovski nga Velesi, i cili konsiderohet për organizator të furnizimit të aditivëve për KME Manastir dhe Maja Jordanova nga Velesi, bartëse e Kontratës për aditivët, Nebojsha Stojanoviq organizator, Vasko Stefanov, ish drejtor i përgjithshëm i EMV-së, i cili konsiderohet se ka ndihmuar në keqpërdorimin e procedurës dhe anëtar i shoqërimit kriminel, Pece Matevski nga Manastiri, ish drejtor i KME Manastir, i cili po ashtu dyshohet se ka ndihmuar të keqpërdoret procedura dhe anëtar i shoqërimit kriminel. Këta persona ngarkohen për keqpërdorim të procedurës së thirrjes publike dhe shoqërimit kriminel, ndërsa Nebojsha dhe anëtarët e familjes së tij për larjen e parave.